• e premte, 05 dhjetor 2025

Zyrtarisht filloi fushata "Më e mira Maqedonase: Tradita jonë, krenaria jonë"

Zyrtarisht filloi fushata

Shkup, 19 korrik 2025 (MIA) - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave zyrtarisht e ka nisur fushatën "Më e mira Maqedonase: Tradita jonë, krenaria jonë", e cila ka për qëllim forcimin e prodhimit bujqësor vendor dhe ngritjen e vetëdijes për cilësinë e produkteve bujqësore maqedonase.

Siç njoftoi Ministria, qëllimet kryesore të fushatës "Më e mira Maqedonase" janë: rritja dhe forcimi i prodhimit bujqësor vendor; sigurimi i një të ardhmeje më të mirë për zonat rurale; ngritja e vetëdijes për cilësinë, autenticitetin dhe rëndësinë e produkteve vendore; lehtësimi i qasjes së qytetarëve te produktet bujqësore vendore dhe përpunimet nga to.

"Është krijuar platforma digjitale makedonskonajdobro.mk, e cila mundëson: për bujqit: Regjistrim dhe promovim të produkteve të freskëta bujqësore; Për përpunuesit: Prezantim të përpunimeve autentike maqedonase;  Për qendrat e shitjes: Regjistrim të lokacioneve gjeografike të pikave të shitjes", thuhet në kumtesë.

Nga atje shtojnë se platforma përfshin hartën interaktive "Ku të blej", e cila përmes gjeolokacionit automatik u ndihmon qytetarëve të gjejnë pikat më të afërta për produkte bujqësore vendore dhe përpunime, me mundësi filtrimi sipas kategorisë apo produktit specifik.

Ata paralajmërojnë se së shpejti do të publikohet edhe një aplikacion i veçantë mobil, i cili do të mundësojë qasje edhe më të lehtë te informacionet për produktet bujqësore vendore dhe përpunimet nga to.

"Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave fton të gjithë bujqit, përpunuesit dhe qendrat e shitjes që të regjistrohen në platformën makedonskonajdobro.mk dhe të bëhen pjesë e kësaj nisme të rëndësishme. Duke zgjedhur një produkt maqedonas, nuk zgjedhim vetëm ushqim apo mall – por investojmë drejtpërdrejt në ekonominë tonë, krijojmë vende të reja pune dhe forcojmë stabilitetin e vendit", citohet në kumtesë. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR