• e diel, 29 shtator 2024

Zoran Lutkov ka marrë postin e ministrit të Kulturës, paralajmëron punë të mundimshme dhe investime

Zoran Lutkov ka marrë postin e ministrit të Kulturës, paralajmëron punë të mundimshme dhe investime

Shkup, 24 qershor 2024 (MIA) - Zoran Lutkov sot e ka marrë postin e ministrit të Kulturës dhe Turizmit nga ish ministrja Bisera Kostadinovska Stojçevska.

Lutkov theksoi se koha e ndryshimeve po vjen, ndërsa të gjithë aktorët në fushën e kulturës dhe turizmit po përballen me një periudhë intensive të punës së mundimshme dhe investimeve, që paraqet edhe prioritetin kryesor të qeverisë së re, informoi shërbimi për shtyp i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

Kostadinovska - Stojçevska e uroi ministrin e sapozgjedhur për detyrën e re dhe i dëshiroi sukses në tejkalimin e sfidave lidhur me realizimin e projekteve aktuale dhe të ardhshme të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

Në një postim në Fejsbuk, Kostadinovska Stojçevska thekson se e ka informuar Lutkovin me aktivitetet më të rëndësishme aktuale dhe të planifikuara të Ministrisë së Kulturës, me besimin, siç thotë ajo, se do të vazhdojë politika e rritjes së pagave të punëtorëve në kulturë, zhvillimi dhe mbështetja e komuniteteve lokale për projektet kulturore, të cilat tashmë po realizojnë ngjarje të suksesshme në skenën vendase dhe të jashtme, si dhe vazhdimësi të projekteve tashmë të filluara kapitale.

"Kultura e Maqedonisë së Veriut le të mbetet e pavarur, e lirë dhe e qasshme për të gjithë, e dukshme brenda dhe në planin ndërkombëtar", theksoi Kostadinovska Stojçevska. 

Zoran Lutkov është anëtar aktual i Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së. U lind më 1 dhjetor 1977 në Veles. Ka diplomuar në Fakultetin e Arteve Dramatike në Shkup, ku ka fituar titullin aktor i diplomuar i dramës. Gjuha e tij amtare është gjuha maqedone, ndërsa e njeh mirë edhe gjuhën angleze.

Në periudhën prej vitit 2006 deri në vitin 2024 në IN Teatrin Dramatik  – Shkup ka luajtur në disa role teatrale, ndër të cilat “Xherardo, Vajza dhe vdekja”, në përshtatje dhe regji të Vasil Hristovit në vitin 2017, “Kreont, Antigona dhe Kreont” nga Miro Gavran, me regji të Nela Vitosheviçit në vitin 2016, "Mbreti Ibi" nga Alfred Zhari me regji të Andrej Cvetanovskit në 2015. Ka luajtur rolin e turkut në  filmin "Pluhuri", me regji të Milço Mançevskit në vitin 2001, Mirçen në "Pjesë rezerve", me regji të Damjan Kozoles në vitin 2003, Sllavkon në "Kockat", me regji të Milço Mançevskit në vitin 2006, e tjerë. Nga viti 2010 deri në vitin 2013 ka punuar si drejtor artistik në IN Teatri Dramatik - Shkup.

Ka marrë disa mirënjohje dhe çmime mes të cilëve dhe Çmimin për rolin kryesor mashkullor nga Festivali ndërkombëtar i Dramës antike STOBI - Veles në vitin 2021, Çmimin për rolin më të mirë mashkullor nga Festivali ndërkombëtar “Hëna e zhveshur” Shkup në vitin 2014, si dhe Çmimin për aktor më të mirë të ri nga Festivali i teatrit "Vojdan Çernodrinski - Prilep në vitin 2002. rq/bsh/

Foto: Ministria e Kulturës

QËNDRONI TË LIDHUR