Zjarri në Qipro është ende aktiv - dy të vdekur, dhjetëra të plagosur, dëme materiale dhe evakuime të reja të zonave të populluara
- Zjarri i madh që prej dje është aktiv në veri të qytetit Limasol në Qipro, në të cilin dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u lënduan rëndë, po përhapet më tej në një sipërfaqe prej mbi 120 kilometrash katrorë, ndërsa në ishull po mbërrin ndihmë nga Spanja, Jordania, Egjipti, Izraeli dhe Greqia për t'u përballur me flakët, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Sara Ademi
- 17:14, 24 korrik, 2025
Nikozia, 24 korrik 2025 (MIA) - Zjarri i madh që prej dje është aktiv në veri të qytetit Limasol në Qipro, në të cilin dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u lënduan rëndë, po përhapet më tej në një sipërfaqe prej mbi 120 kilometrash katrorë, ndërsa në ishull po mbërrin ndihmë nga Spanja, Jordania, Egjipti, Izraeli dhe Greqia për t'u përballur me flakët, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Për shkak të shpërthimeve të reja, disa vendbanime të tjera u evakuuan sot, zjarri la dëme të shumta materiale dhe mediat qipriote po komentojnë se është një nga më të mëdhenjtë në historinë bashkëkohore të vendit.
Ministri i Shëndetësisë i Qipros, Mihalis Damianos, informoi se dy persona janë shtruar në spital me djegie të rënda dhe janë në gjendje të rëndë, por jo kërcënuese për jetën, 50 persona me probleme të frymëmarrjes kanë kërkuar dhe kanë marrë ndihmën e parë, ndërsa 16 persona janë raportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Limasolit me probleme të frymëmarrjes ose lëndime të lehta dhe djegie.
Zëdhënësi i Qeverisë Qipriote, Konstantinos Letibiotis, theksoi se ajo që po ndodh në vend është "e paprecedentë", se zjarre të shumta të njëkohshme kanë shkaktuar dëme në pronat e qytetarëve dhe kanë rrezikuar jetë njerëzore, dhe paralelisht njoftoi masa qeveritare për të mbështetur të prekurit.
Në fazën e parë, sipas Letibiotis, është planifikuar një pagesë urgjente e mbështetjes financiare për këshillat komunal për të mbuluar nevojat urgjente; rehabilitim i plotë i dëmeve në pronën e qytetarëve dhe strehim i përkohshëm dhe mbulim i nevojave themelore të menjëhershme për të prekurit.
Ai shpjegoi më tej se është kërkuar ndihmë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, si dhe nga vendet fqinje.
"Aktualisht, 14 aeroplanë primar dhe tre sekondar janë në gatishmëri operative, përveç tyre, në vendin tonë kanë mbërritur tashmë edhe aeroplanë jordanezë. Janë siguruar ulje aeroplanësh për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit: katër aeroplanë nga Jordania, dy nga Egjipti, dy nga Izraeli dhe dy nga Spanja", shpjegoi Letibiotis.
Nga Ministria për Mbrojtje Civile dhe Kriza Klimatike të Greqisë pasdite njoftuan se në Qipro po dërgojnë forca tokësore, përkatësisht 26 pjesëtarë të njësisë për Operacione Pyjore të Specializuara. sa/