• e hënë, 20 prill 2026

Zjarr në një fshat në Malajzi, janë shkatërruar një mijë shtëpi dhe mijëra njerëz janë zhvendosur

Zjarr në një fshat në Malajzi, janë shkatërruar një mijë shtëpi dhe mijëra njerëz janë  zhvendosur

Kuala Lumpur, 19 prill 2026 (MIA) - Mijëra njerëz janë zhvendosur sot pasi një zjarr shkatërroi rreth 1.000 shtëpi në një fshat bregdetar në shtetin malajzian Sabah në ishullin Borneo, njoftoi brigada e zjarrfikësve.

Autoritetet u njoftuan për flakët në qarkun Sandakan rreth orës 1:32 të mëngjesit sipas kohës lokale, deklaroi shefi i zjarrfikësve dhe shpëtimit të qarkut, Xhimi Lagung.

"Erërat e forta dhe afërsia e shtëpive shkaktuan përhapjen e shpejtë të zjarrit, ndërsa baticat e ulëta e bënë të vështirë aksesin në ujë të hapur", tha Lagung.

Zjarri shpërtheu në njërin nga fshatrat në Sabah, ku ndodhen disa nga komunitetet më të varfra të vendit, duke përfshirë shumë grupe pa shtetësi dhe indigjene.

Më shumë se 9.000 banorë janë prekur nga zjarri, megjithëse nuk pati vdekje, bëri të ditur policia në Sandakan, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve.

Kryeministri malajzian Anuar Ibrahim tha se qeveria federale po koordinohej me autoritetet e Sabah për të ofruar ndihmë bazë dhe zhvendosje të përkohshme për të prekurit.

"Prioriteti tani është siguria e viktimave dhe ndihma emergjente në terren", tha Ibrahim në një postim në Fejsbuk. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR