• e hënë, 20 prill 2026

Tramp: Irani e ka shkelur seriozisht armëpushimin, por përfaqësuesit amerikanë të hënën do të jenë në Pakistan

Tramp: Irani e ka shkelur seriozisht armëpushimin, por përfaqësuesit amerikanë të hënën do të jenë në Pakistan

Uashington, 19 prill 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se përfaqësuesit e SHBA-së do të jenë të hënën në Islamabad për negociata të mëtejshme me Iranin, raportoi DPA.

"Përfaqësuesit e mi do të shkojnë në Islamabad, Pakistan. Ata do të jenë atje nesër në mbrëmje, për negociata", shkroi sot Tramp në një postim të gjatë në rrjetet sociale.

Tramp tha se Irani kreu "shkelje serioze" të armëpushimit dje, por se ai ende beson se mund të arrihet një marrëveshje paqeje. Ai nuk specifikoi saktësisht se çfarë e konsideron shkelje të armëpushimit.

"Marrëveshja do të ndodhë. Në një mënyrë ose në një tjetër. Në një mënyrë të mirë ose në një mënyrë të nxehtë. Do të ndodhë. Mund të më citoni", tha Tramp, i cili u prononcua edhe në rrjetin social Truth.

"Dje, Irani vendosi të hapte zjarr në Ngushticën e Hormuzit, duke shkelur plotësisht marrëveshjen tonë të armëpushimit! Shumë nga të shtënat ishin të drejtuara drejt një anijeje franceze dhe një anijeje mallrash nga Mbretëria e Bashkuar. Kjo nuk ishte e mirë, apo jo?"

Raundi i parë i bisedimeve midis Iranit dhe SHBA-së në Islamabad përfundoi fundjavën e kaluar pa rezultate të prekshme, duke lënë dyshime nëse mund të gjendet një zgjidhje për luftën që e filloi SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt para se armëpushimi aktual të skadojë të mërkurën, kujton agjencia gjermane.

Pika kryesore e mosmarrëveshjes mbeti rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë ujore kyçe për tregtinë globale të naftës.

Në atë që dukej të ishte një shenjë se përpjekjet diplomatike prapa skenave po bënin përparim, Irani njoftoi të premten se po rihapte ngushticën, por dje e tërhoqi vendimin pasi Tramp tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbanin bllokadën detare të porteve iraniane derisa të arrihet një marrëveshje paqeje.

Tramp ndër të tjera gjatë fundjavës deklaroi se SHBA-ja "ofron një MARRËVESHJE shumë të drejtë dhe të arsyeshme".

"Shpresoj që ta pranojnë, sepse nëse nuk e bëjnë, SHBA-ja do të hedh në erë të gjitha termocentralet dhe të gjitha urat në Iran". mb/

Foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR