• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ziberi: Ndryshimet në Kodin penal duhej të ishin miratuar me debat serioz dhe argumente të mjaftueshme

Ziberi: Ndryshimet në Kodin penal duhej të ishin miratuar me debat serioz dhe argumente të mjaftueshme

Shkup, 14 shtator 2023 (MIA) - Avokati i Popullit, Naser Ziberi konsideron se ndryshimet në Kodin penal janë problematike nga aspekti i procedurës, sepse si e tillë ka qenë e shkurtër pa pasur mundësi për debat serioz.

Avokati i Popullit, Ziberi si i ftuar sonte në televizionin Kanal 5 ka thënë se debati serioz do të krijonte argumente të mjaftueshme.

"Personalisht mendoj se ndryshimet në Kodin penal janë problematike nga aspekti i procedurës shumë të shkurtër me të cilën u miratuan, pa mundësi për debat serioz dhe po ndryshohen dispozita shumë senzitive. Së dyti, mendoj se një debat serioz do të jepte mjaftueshëm argumente nëse ato janë masat e nevojshme që duhet të marrë shteti dhe nëse janë ato veprime që duhet në një mënyrë të ulen gjobat. Reagimet, siç mund të shihni nuk janë vetëm nga opinioni, por edhe nga institucione të specializuara për këto çështje, fatkeqësisht nuk shkojnë në favor të masave", ka thënë Ziberi.

Ai i është referuar edhe parashtresave që kanë marrë në lidhje me mungesën e barnave në Onkologji.

"Kemi pasur një parashtresë, por edhe nga mediat në mënyrë permanente kjo çështje ka qenë aktuale dhe Avokati i Popullit përveç parashtresave vepron edhe me iniciativë të veten kur do të ketë informacione dhe indikacione të mjaftueshme, ndërsa janë senzitive të drejtat e qytetarëve në fushën e mbrojtjes shëndetësore dhe nuk janë vetëm në këtë fushë, por edhe për probleme të tjera që janë shfaqur në sistemin shëndetësor në periudhën e kaluar, si mungesa e ilaçit ‘trikafta’ dhe ndihma të tjera për të cilat kemi pasur një numër të madh të ankesave nga qytetarët", ka thënë Avokati i Popullit.

Ai tha se në raportin për vitin 2022, midis tjerash është vërejtur problemi i kredive të shpejta dhe vjedhja e të dhënave personale.

"E kemi vërejtur edhe në Raportin vjetor për vitin 2022 dhe kemi thënë se institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka kompetenca të veprojë ndaj shoqatave financiare sepse ato janë subjekte private, ndërsa Avokati i Popullit vepron vetëm në sektorin publik, gjegjësisht administratën, por e kemi aktualizuar si problem dhe kërkuam ndryshime në Ligjin për veprimtarinë financiare, për fat të mirë Kuvendi reagoi shpejt dhe disa nga ndryshimet shkojnë në drejtim të tejkalimit të disa problemeve siç janë shumat e tepërta të arkëtimeve, administrimin e kredive të reja si p.sh. shumat e tepërta që qytetarët detyrohen të paguajnë nëse vonohen në kthimin e kredive etj", ka thënë Ziberi.

Lidhur me respektimin e dispozitave për vjetërsimin e borxheve nga përmbaruesit, Ziberi tha se nuk respektohen dispozitat për vjetërsimin e borxheve dhe disa nga përmbaruesit i referohen rregullores nga Ministria e Drejtësisë e cila nuk mund të ketë rëndësi më të madhe se Ligji.

Ai informoi se Zyra e Avokatit të Popullit numrin më të madh të parashtresave e merr për shkak të punës së përmbaruesve.

Duke folur për burgjet, Ziberi madje vlerësoi se gjendja është katastrofale dhe theksoi se edhe pse amnistia nuk është zgjidhje, ajo të paktën për momentin do ta zbuste situatën.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR