• e diel, 22 dhjetor 2024

Ziberi: Ka shumë pyetje të hapura në të cilat duhet të jepet përgjigje për incidentin në burgun e Idrizovës

Ziberi: Ka shumë pyetje të hapura në të cilat duhet të jepet përgjigje për incidentin në burgun e Idrizovës

Shkup, 1 nëntor 2023 (MIA) - Avokati i Popullit Naser Ziberi thotë se ka shumë pyetje të hapura në të cilat duhet të jepet përgjigje në lidhje me incidentin që ndodhi në fundjavë në burgun "Idrizovë" ku u lënduan policë dhe të burgosur.

Ziberi sonte duke qenë i ftuar në televizionin "Telma" tha se janë siguruar regjistrimet e video-kontrollit, të cilat nuk janë të cilësisë së mjaftueshme sepse nuk ka asnjë video incizim që monitoron në mënyrë të përhershme hapësirat në të gjitha pjesët. Disa nga kamerat, siç theksoi ai, nuk janë ndezur, e disa janë kthyer nga dy të burgosur.

Ziberi ka theksuar se të dielën kanë qenë në repartin gjysmë të hapur, por për shkak se ishte ditë jopune, nuk kanë arritur të sigurojnë të gjitha provat e nevojshme që kërkonin, pas së cilës dje janë kthyer në burg dhe kanë siguruar video pamjet e kontrollit.

"Unë them se nuk janë mjaft cilësore, sepse nuk ka video incizim që monitoron në mënyrë të përhershme hapësirat në të gjitha pjesët. Së dyti, disa nga kamerat nuk ishin ndezur dhe të kthyera në hapësirën ku është dashur të bëhej regjistrimi. Së treti, në një pjesë, në fillim të aksionit, dy të burgosur i kthejnë kamerat. A menduan se nuk ishin shënjestruar mirë, ndaj i kthyen apo synonin të mos e regjistronin të gjithë ngjarjen? Nuk mund të jap një përgjigje thelbësore, por dy të burgosur shihen duke kthyer kamerat. Momenti kur këta të burgosur kapin kamerat dhe ridrejtojnë ndodh në fillim të aksionit", tha Ziberi.

Kjo sjellje e të burgosurve, sipas Ziberit, shtron pyetjen se përse u lejohet të burgosurve të hyjnë në pjesën ku bëhet video kontrolli.

"Ka rregulla ku të burgosurit mund të lëvizin. Edhe pse ai repart i burgut të Idrizovës trajtohet si burg gjysmë i hapur, megjithatë edhe atje sipas Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve dhe rregullave për rregulloren e burgut, rrugët nëpër të cilat mund të lëvizin të burgosurit janë rreptësisht të parapara dhe të përcaktuara", sqaron Ziberi.

Ai shtoi se ende nuk e kanë marrë urdhrin e gjykatës, kërkesën e PTHP-së drejtuar një gjyqtari në procedurë paraprake dhe urdhërin e gjyqtarit në procedurë paraprake në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

"Të shohim arsyet e veprimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sepse sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve, bastisjet e të burgosurve dhe hapësirave nëpër burgje bëhen nga policia e burgjeve. Parashtrohet pyetja pse është bërë kontrolli nga MPB? Sot përmes bisedave për këtë temë mora informacion se në hetim mund të përfshihen edhe persona që nuk janë pjesë e policisë së burgjeve. Ne duam të sigurohemi për korrektësinë e gjithë veprimit", thekson Ziberi.

Ai theksoi se do të kërkojnë përgjigje nga Byroja e Sigurisë Publike nëse është bërë një vlerësim i mirë i sigurisë gjatë hyrjes së pjesëtarëve të MPB-së dhe nëse MPB ka marrë informacion të vlefshëm nga drejtoria e burgut për situatën brenda.

Sipas tij, në burgje mungon një kontroll i mirë se çka futet brenda dhe parashtrohet pyetja nëse policia e burgut e kryen punën e saj.

Duke folur për kushtet në spitalet psikiatrike dhe disa stacione policore, ai theksoi se kushtet në stacionin policor në Butel janë të këqija. sa/

Foto: Printskrin nga video

QËNDRONI TË LIDHUR