• e diel, 22 dhjetor 2024

Zgjidhen ministrat e rinj qeveritarë - Lloga i Drejtësisë, Mexhiti i Shëndetësisë, Aliu i Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Shukova e Mjedisit Jetësor

Zgjidhen ministrat e rinj qeveritarë - Lloga i Drejtësisë, Mexhiti i Shëndetësisë, Aliu i Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Shukova e Mjedisit Jetësor

Shkup, 27 shkurt 2023 (MIA) - Kuvendi sonte i ka zgjedhur katër ministrat e rinj në Qeveri - Krenar Lloga i Drejtësisë, Fatmir Mexhiti i Shëndetësisë, Azir Aliu i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, si dhe Kaja Shukova e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Lloga, Mexhiti dhe Aliu janë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, ndërsa Shukova është e propozuar nga LSDM-ja. Lloga vjen në vendin e Nikolla Tupançevski, resor me të cilin deri tani ka udhëhequr LSDM-ja, Mexhiti në vendin e Bekim Sali nga Alternativa, ndërsa Aliu në vendin e Admirin Alitit, po ashtu nga Alternativa. Shukova, ndërkaq, do ta zëvendësojë Naser Nuredinin nga BDI-ja.

Pas debatit, i cili kryesisht kaloi në zënka partiake mes shumicës në pushtet dhe opozitës dhe dy pauzave pasdite, për Llogën votuan 65 deputetë, për Mexhitin 64, për Aliun 65 dhe për Shukova 65. Për ansjë nga ministrat nuk ka pasur votë kundër, as të përmbajtur.

Ministrat pas votimit dhanë deklaratë solemne.

Lloga është i lindur në Strugë në vitin 1984. Ka diplomuar në Fakultetin juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore, ku ka magjistruar me temë diplomaci. Ka dhënë edhe provimin e jurisprudencës. Përveç gjuhës amtare shqipe, flet edhe maqedonisht, anglisht dhe italisht. Anëtar është i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe pas vete ka disa funksione në nivel shtetëror dhe lokal.

Mexhiti me profesion është specialist - neurolog në IPSH të KU për Neurologji - Shkup, ku punon nga viti 2011. Ka specializuar neurologji në Fakultetin e mjekësisë në Shkup në vitin 2015. Paraprakish ka punuar si mjek në mjekësinë e përgjithshme në praktikë private dhe në Spitalin e përgjithshëm "Ferid Murat" në Gostivar. Ka fituar edhe liçencë për mjek nga Oda e mjekëve e Maqedonisë në vitin 2000. Ka studiuar edhe në Fakultetin mjekësor në Sarajevë në periudhën 1993-1999.

Aliu është i lindur në Gostivar në vitin 1976. Ka diplomuar në Fakultetin elektroteknik pranë Universiteit "Shën Cirili dhe Metodi" Shkup, ku edhe magjistron, e pastaj edhe doktoron shkenca informatike në Fakultetin natyror-matematikor pranë UCM-së. Flet shqip, maqedonisht dhe anglisht. Ka punuar si profesor në gjimnazin "Pançe Popovski" në Gostivar, prej ku e vazhdon karrierën në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ku ka qenë edhe asistent, prodekan i shkencës, profesor i çrregullt, nënkryetar i Këshillit drejtues, ndërsa prej vitit 2020 edhe profesor i rregullt.

Shukova është e lindur në Shkup më 1 janar të vitit 1970. Ka diplomuar në Fakultetin teknologjik-metalurgjik në Shkup në vitin 1995. Prej vtit 2020 është sekretare shtetërore në Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ku ka qenë në më shumë funksione. Ka kualifikime kyçe në menaxhimin dhe planifikimin e mjedisit jetësor, ndërsa ka marrë pjesë edhe në përgatitjen e akteve ligjore në sferën e mjedisit jetësor dhe harmonizimit të tyre me kërkesat e Bashkimit Evropian, si dhe në procesin e skriningut dhe negociatave me BE-në. Ka qenë anëtare e disa grupeve të punës.

Pas zgjedhjes së këtyre katër ministrave, në kuadër të seancës së 104-të duhet të kalojnë edhe shkarkimet e zëvendës ministrave në resoret: mbrojtje, bujqësi dhe arsim, si dhe zgjedhja e pasardhësve të tyre. Duhet të shkarkohen zëvendës ministrat e Mbrojtjes, Bujqësisë dhe të Arsimit dhe Shkencës, Bashkim Hasani, Abdulshukur Abedini dhe Lulzim Aliu, ndërsa në vend të tyre, në këto funksione, sipas propozimit qeveritar, duhet të emërohen Tiron Jajaga i Mbrojtjes, Vjollca Berisha e Bujqësisë dhe Agim Nuhiu i Arsimit dhe Shkencës. Duhet të emërohen edhe Viktorija Avramnovska-Matiq për zëvendës ministre e Drejtësisë, si dhe Maja Manoleva për zëvendës ministre e Shëndetësisë.

Seanca e 104-të për rikonstruimin e Qeverisë filloi më 13 shkurt. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR