• e shtunë, 06 korrik 2024

Zgjedhjet lokale në Turqi

Zgjedhjet lokale në Turqi

Ankara, 31 mars 2024 (MIA) – Në Turqi sot mbahen zgjedhjet lokale, në të cilat pak më shumë se 61 milionë votues të regjistruar do të zgjedhin autoritetet lokale për një mandat pesëvjeçar, transmeton Anadolia.

Rreth 208,000 qendra votimi janë të hapura për votim. Votimi do të zgjasë nga ora 07:00 deri në 16:00 në 32 rajone në lindje të vendit dhe nga ora 08:00 deri në 17:00 sipas kohës lokale në pjesën tjetër të Turqisë.

Në zonat e mëdha urbane, votuesit zgjedhin kryetarët, administratorët komunalë, përbërjen e këshillave komunal dhe zyrat e muhtarëve dhe këshillave të kryepleqve, dhe zgjedhje të tilla do të mbahen në qytete të mëdha si Adana, Ankara, Antalia, Ajdin, Balikesir, Bursa, Denizli, Dijarbakir, Erzurum, Eskishehir, Gaziantep, Hataj, Stamboll, Izmir, Kahramanmarash, Kajseri, Koxhaeli, Konja, Malatia, Manisa, Mardin, Mersin, Mugla, Ordu, Sakaria, Samsun, Shanlıurfa, Tekirdag, Trabzon dhe Van.

Në zonat që nuk kanë statusin e qytetit të madh, votuesit do të zgjedhin përbërjet e kuvendeve të rretheve, kryetarët e komunave, përbërjet e këshillave komunal dhe zyrat e muhtarëve dhe këshillave të kryepleqve.

Në terren do të jenë edhe 1.004 ekipe të lëvizshme votimi që do të vizitojnë votuesit që nuk mund të votojnë për shkak të sëmundjes.

Hapja e kutive dhe numërimi i votave do të fillojë pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa për kryetarët  e komunave priten rezultatet e para.

Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve i Turqisë më herët bëri të ditur se gjithçka është gati për ditën e zgjedhjeve, në të cilën do të vlejë heshtja zgjedhore.

Kryetari i Komisionit të Lartë Zgjedhor, Ahmet Jener, ka bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat që zgjedhjet të zhvillohen në një ambient të sigurt.

Në ditën e zgjedhjeve, nga ora 06:00 deri në orën 12:00, ndalohet shitja e pijeve alkoolike në çfarëdo mënyre, shërbimi apo konsumimi i çdo pije alkoolike në ambiente hoteliere dhe vende publike.

Gjatë votimit mbyllen të gjitha vendet publike të argëtimit si kafenetë dhe internet kafenetë dhe në restorante shërbehet vetëm ushqim.

Në ditën e votimit, radiot dhe të gjitha mediat nuk do të mund të transmetojnë lajme, parashikime apo komente për zgjedhjet dhe rezultatet e tyre deri në orën 18.00.

Nga ora 18:00 deri në orën 21:00, në radio dhe në të gjitha mediat e tjera mund të publikohen vetëm lajmet dhe njoftimet për procesin zgjedhor të lëshuara nga Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve.

Ndalimi i transmetimit të lajmeve zgjedhore përfundon në orën 21:00, përveç nëse Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve vendos ta heqë atë më herët. sa/

Foto: Anadolia

QËNDRONI TË LIDHUR