• e shtunë, 23 nëntor 2024

ZGJEDHJET 2024/ Taravari: Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet në Kuvend dhe jo më në zgjedhje

ZGJEDHJET 2024/ Taravari: Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet në Kuvend dhe jo më në zgjedhje

Tetovë, 21 shkurt 2024 (MIA) - Partia Aleanca për Shqiptarët përmes një komunikate njofton opinionin se kryetari,  Arben Taravari, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media në Tetovë. Taravari thekson se ka dy synime për zgjedhjet e ardhshme për president të vendit, dhe beson se në të ardhmen zgjedhja e presidentit duhet të bëhet në Kuvend.

"Kam hyrë në këtë garë me synime më të mëdha. Synimi im dhe i partnerëve të mi është i dyfishtë: së pari, synojmë që kandidati shqiptar të hyjë për herë të parë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe së dyti, duam të hapim debatin e madh për pozicionin e presidentit në sistemin tonë politik. Siç dihet, Maqedonia e Veriut është një republikë parlamentare, jo një republikë presidenciale apo gjysmë presidenciale. Po ashtu, i gjithë sistemi ynë politik dhe kushtetues është ndërtuar mbi modelin e demokracisë konsensuale ndërmjet dy kombësive më të mëdha, dhe kjo sanksionohet me futjen e Marrëveshjes së Ohrit në Kushtetutë", thekson Taravari.

Më pas ai thotë se platforma e tij presidenciale do të ndërtohet rreth forcimit të demokracisë konsensuale, në linjën e mendimit të Arben Xhaferit.

"Unë dhe partnerët e mi synojmë që hapja e ardhshme e Kushtetutës të përfshijë tre elemente: Përfshirja e bullgarëve dhe pakicave të tjera në Kushtetutë, së dyti, heqja e 20 përqindëshit që përcaktojnë gjuhën shqipe, së treti, zgjedhja e presidentit të bëhet në Kuvend dhe jo më përmes zgjedhjeve. Ky është lajmi i madh. Në këtë mënyrë në të ardhmen forcat politike që përfaqësojnë dy kombësitë më të mëdha së bashku në Kuvend do të vendosin për shpërndarjen e tre funksioneve më të larta shtetërore", thekson Taravari.

Ai ka kërkuar mbështetje nga shqiptarët dhe nga BDI.

"I bëj thirrje shqiptarëve dhe BDI-së, e cila ende heziton se kë të kandidojë dhe e cila në të kaluarën ka mbështetur edhe një kandidat maqedonas për president, duke përmendur konsensusin, të mbështesin vizionin tim dhe kandidaturën time. Tani kemi mundësinë të forcojmë së bashku demokracinë konsensuale në mënyrë kushtetuese. Tani mund të sigurohemi që një nga tre funksionet kryesore shtetërore t'u kalojë automatikisht shqiptarëve, si populli i dytë me shumicë në Maqedoni", thuhet në deklaratën e Taravarit, të cilën e transmeton kabineti i tij. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR