• e hënë, 23 dhjetor 2024

Zgjedhjen e Xhaferit për kryeministër të Qeverisë teknike e uruan edhe krerët e shtetit të Kosovës

Zgjedhjen e Xhaferit për kryeministër të Qeverisë teknike e uruan edhe krerët e shtetit të Kosovës

Shkup, 28 janar 2024 (MIA) - Me rastin e zgjedhjes së kryeministrit të parë shqiptar në Qeverinë teknike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, urime përmes rrjeteve sociale sot dërguan presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca si dhe shumë personalitete të tjera nga jeta politike në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në urimin e saj në platformën X ka shkruar se sot shënohet një moment historik i rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

"Sot shënohet një moment historik i rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar kontributin e tyre jetik në shtetësinë e vendit dhe rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik. I uroj qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Maqedonisë së Veriut suksese", shkroi Osmani. 

Kyeministri Albin Kurti në profilin e tij zyrtar në Fejsbuk i uroi Xhaferit suksese në detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila ka për detyrë të organizojë zgjedhjet parlamentare.

Kurti gjithashtu u shpreh se Kosova dëshiron një Maqedoni të Veriut me orientim të fortë euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës e fijeve të saj, një Maqedoni të Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik. 

"Ish kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner. Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi. Një Maqedoni e Veriut me orientim të fortë euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës e fijeve të saj, një Maqedoni e Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik, është ajo që dëshirojmë. Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun z.Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij", shkroi Kurti. 

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ia uroi Talat Xhaferit pozitën e re të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, duke e quajtur këtë arritje të rëndësishme për të gjithë shqiptarët.

"Talat Xhaferit ia uroj pozitën e re të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, këtë arritje të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Deri dje ai udhëhoqi shkëlqyeshëm Kuvendin e këtij vendi mik. Kryeministri shqiptar, sado me kompetenca dhe kohë të limituar, thyen një barrierë të perceptimit për këdo. Urojmë që kjo përgjegjësi e re t'iu shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim. Bërja e Z. Xhaferi kryeministër deri në realizimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut vjen si mundësi që pjesëmarrja dhe integrimi i plotë i shqiptarëve të vlerësohet si synim i pashmangshëm, aq sa edhe përparimtar, prej të cilit përfiton më së miri vetë Maqedonia e Veriut. Urime z. Xhaferi dhe suksese në detyrën tuaj, duke shpresuar dhe besuar se kjo do t’i hap rrugën ndryshimeve të përparimit të vazhdueshëm politik", thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër të Qeverisë teknike e uruan edhe krerët e partive politike opozitare në Kosovë si Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). 

Ditën e sotme ata e quajtën ditë historike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për shtetin dhe për mbarë rajonin.

Mediat në Kosovë kësaj ngjarje i kushtuan rëndësi të madhe duke njoftuar drejtpëdrejtë për të gjitha detajet rreth zgjedhjes së kryeministrit të parë shqiptar. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR