Zgjedhja e kryetarit të KSHPK-së në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve
- Komisioni i Kuvendit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve sot do të mbajë seancë, në rend dite të së cilës është konfirmimi i Propozim-listës për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
- Post By Sara Ademi
- 07:41, 21 nëntor, 2025
Shkup, 21 nëntor 2025 (MIA) - Komisioni i Kuvendit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve sot do të mbajë seancë, në rend dite të së cilës është konfirmimi i Propozim-listës për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Antikorrupsioni bëhet me kryetar të ri në vendin e Tatjana Dimitrovska e cila dha dorëheqje, pasi u akuzua për rastin "Aditiv" për shpërndarje të sekreteve zyrtare dhe falsifikim kompjuterik. Sipas aktakuzës, ajo i kaloi informacione nga një rast që po hetohej nga Antikorrupsioni një personi të akuzuar në rastin "Aditiv". Përveç kësaj, ajo akuzohet edhe për falsifikim të një certifikate për sekret shtetëror, pasi dikush tjetër e dha provimin elektronik në emër të saj.
Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK) që e formoi Komisioni i Kuvendit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve dje kumtoi se kandidati Adem Çuçul nga Shkupi, jurist i diplomuar dhe sekretar aktual i përgjithshëm i KSHPK-së, e ka vlerësuar si më të suksesshëm në procedurën për përzgjedhje.
Sipas Komisionit, Çuçul ka treguar përvojë të madhe në parandalimin e korrupsionit dhe ndeshjes së interesave, si dhe vizion të qartë dhe plan konkret për punën dhe zhvillimin e KSHPK-së. Ai ka dhënë përgjigje të shkëlqyeshme në të gjitha pyetjet e parashtruara, pas së cilës ka fituar 96,50 pikë, që e rendit më lartë mes kandidatëve.
I dyti renditet Branko Smilevski nga Shkupi - ekonomist i diplomuar, magjistër i shkencave për antikorrupsion, i cili është aktualisht asistent i revizorit kryesor, me 86.33 pikë, dhe i treti renditet Prof. Dr. Kimo Çavdar nga Shkupi, jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës dhe doktor i shkencave politike, i cili mori 81.83 pikë.
Komisioni përzgjedhës vëren se si Smilevski ashtu edhe Çavdari dhanë përgjigje të shkëlqyera për pyetjet e përgjithshme dhe specifike të parashtruara. sa/
Foto: MIA