Zelenski pret sqarime se çfarë garancish sigurie i ofrohen Ukrainës
- Ukraina do të zhvillojë takime intensive për të kuptuar se çfarë garancish sigurie janë gati të ofrojnë aleatët e saj, pasi mori sinjale se SHBA do të mbështesin diskutimet që për qëllim kanë përfundimin e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, tha presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
- Post By Fami Bajrami
- 10:32, 21 gusht, 2025
Kiev, 21 gusht 2025 (MIA) - Ukraina do të zhvillojë takime intensive për të kuptuar se çfarë garancish sigurie janë gati të ofrojnë aleatët e saj, pasi mori sinjale se SHBA do të mbështesin diskutimet që për qëllim kanë përfundimin e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, tha presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Detajet po përpunohen midis këshilltarëve të sigurisë kombëtare dhe zyrtarëve ushtarakë, ndërsa Zelenski beson se më shumë informacione do të ketë brenda 10 ditësh. Ai më pas pret të jetë gati të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus Vlladimir Putin, për herë të parë që nga fillimi i invazionit.
Bisedimet mund të zhvillohen edhe në një format trepalësh së bashku me presidentin amerikan Donald Tramp, tha Zelenski.
"Duam të kuptojmë arkitekturën e garancive të sigurisë brenda shtatë deri dhjetë ditësh. Dhe bazuar në këtë mirëkuptim, kemi për qëllim të zhvillojmë një takim trepalësh. Kjo ishte logjika ime", u tha Zelenski gazetarëve pas një udhëtimi në Uashington me përfaqësuesit evropianë.
Ai shtoi se korniza e garancive të sigurisë është afër Nenit 5 - garancia e mbrojtjes së përbashkët të NATO-s, sipas së cilës sulmi ndaj një anëtari konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve.
Madje shqyrtohet mundësia e mbajtjes së takimit në Zvicër, Austri ose Turqi, shton Zelenski.
Foto: arkivi i MIA-s