Zelenski: Bisedë e mirë me Vansin, por ka ende shumë punë për të bërë
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se ka pasur një "bisedë të mirë" me nënpresidentin amerikan Xhej Di Vans, por shtoi se është e nevojshme të punohet shtesë në planin për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Mynih, 14 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se ka pasur një "bisedë të mirë" me nënpresidentin amerikan Xhej Di Vans, por shtoi se është e nevojshme të punohet shtesë në planin për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Të dy liderët u takuan në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku zhvilluan një takim të shkurtër dypalësh.
Pas bisedës, Vans tha se ata kishin "disa diskutime produktive" dhe se mbetën çështje që duhet të përpunohen.
Ai, megjithatë, shmangu përgjigjen nëse Shtetet e Bashkuara do të zhvillonin negociata me presidentin rus Vladimir Putin pa Ukrainën.
"Është e rëndësishme që ne të fillojmë të kemi bisedat e nevojshme për të mbyllur këtë çështje," deklaroi Vans. "Kjo është gjithçka që do të them tani për tani, sepse dua të ruaj mundësitë për negociatorët tanë dhe ekipet që punojnë për ta mbyllur me përgjegjësi këtë çështje," shtoi ai.
Zelenski, megjithatë, tha se ky është vetëm i pari nga takimet e shumta.
"Ne patëm një bisedë të mirë sot, e para, por jo e fundit. Ne duhet të flasim më shumë, të punojmë më shumë dhe të përgatisim një plan se si ta ndalojmë Putinin”, theksoi presidenti ukrainas. ls/
Foto: DPA