• e hënë, 23 dhjetor 2024

Zelenska për vizitë dyditore në Slloveni

Zelenska për vizitë dyditore në Slloveni

Lubjanë, 18 nëntor 2024 (MIA) – Bashkëshortja e presidentit ukrainas, Olena Zelenska sot mbërriti për vizitë në Slloveni, me ftesë të bashkëshortit të presidentes sllovene, Alesh Musar. 

Zelenska, e shoqëruar nga delegacioni, së pari bisedoi me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, ndërsa pastaj pritet që zonja e parë ukrainase dhe bashkëshorti i presidentes sllovene ta vizitojnë klinikën e fëmijëve në Lubjanë, informuan sot mediat sllovene. 

Arsyeja kryesore për vizitën e saj është pjesëmarrja në takimin e nesërm të Bordit Këshillimor të Organizatës për Fuqizimin e Sigurisë së Njerëzve (ITF). Ajo bashkë me nënkryetarin e parë të qeverisë ukrainase dhe ministren e Ekonomisë, Julija Sviridenko do t’i prezantojë nevojat e Ukrainës në lëmin e ndihmës humanitare për viktimat e luftës. 

Para kësaj, fjalime përshëndetëse do të kenë ambasadorja e Francës në Slloveni dhe kryetarja e bordit këshillimor të ITF-së, Florens Levi, presidentja e Sllovenisë dhe bashkëshorti i saj, përderisa drejtori i organizatës ITF, Tomazh Lovrçniç do ta prezantojë raportin për këtë vit dhe projektet për vitin e ardhshëm. 

Në kuadër të vizitës dyditëshe, delegacioni ukrainas do të pritet edhe nga kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob.

Në qershor të këtij viti, presidenti ukrainas, Volodomir Zelenski ishte nikoqir i presidentes së Sllovenisë në Kiev. Me këtë rast, mes tjerash, ishte biseduar edhe për rrugën drejt paqes dhe nënshkruan memorandum për bashkëpunim në sferën e mbështetjes së qytetarëve ukrainas përkohësisht të zhvendosur në Slloveni. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR