Zejtarët mbështesin bojkotin, u bëjnë thirrje qytetarëve të blejnë te zanatçinjtë e vegjël
- Oda e artizanaleve mbështet bojkotin e paralajmëruar të marketeve dhe u bën thirrje qytetarëve që të bëjnë një zgjidhje më të drejtë dhe të blejnë te zanatçinjtë e vegjël, informoi sot OARMV.
- Post By Fami Bajrami
- 11:14, 30 janar, 2025
Kumanovë, 30 janar 2025 (MIA)- Oda e artizanaleve mbështet bojkotin e paralajmëruar të marketeve dhe u bën thirrje qytetarëve që të bëjnë një zgjidhje më të drejtë dhe të blejnë te zanatçinjtë e vegjël, informoi sot OARMV.
“E mbështesim plotësisht bojkotin e marketeve, megjithatë, apelojmë tek qytetarët sa herë që kanë mundësi të blejnë bukë, produkte të tjera ushqimore në furrat artizanale, dyqane të tjera që të mbështetet prodhimi vendas. Njëherësh apelojmë edhe tek zejtarët që të ulin çmimet e produkteve të tyre”, deklaroi kryetari i Odës, Agron Fazliji.
Nga OARMV thonë se çmimet për bizneset e vogla dhe artizanatit janë më të ulëta dhe më të kapshme për të gjithë. Të premten, çmimet te zejtarët do të jenë dhjetë për qind më të ulëta për blerësit.
“Ky është një hap i vogël por i rëndësishëm për të treguar se ekonomia lokale mund të mbështesë qytetarët me çmime më të drejta dhe cilësi më të mirë. Apeloj sa herë që kanë mundësi, jo vetëm gjatë bojkotit, por gjithmonë, blerësit të zgjedhin produkte nga artizanalet e vogla”, ka thënë Fazliji.
Foto: MIA, OARMV