Zbulohen detajet e para të marrëveshjes: Ja çka mund të marrë SHBA-ja në Grenlandë
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se po shqyrton marrëveshje të mundshme për Grenlandën pas bisedimeve me liderët e shteteve anëtare të NATO-s dhe i tërhoqi kërcënimet për vendosje të doganave për aleatët evropianë të cilët kundërshtuan planet e tij që Amerika ta marrë ishullin.
- Post By Fitore Curri
- 08:55, 22 janar, 2026
22 janar 2026
Dnevnik.hr
Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se po shqyrton marrëveshje të mundshme për Grenlandën pas bisedimeve me liderët e shteteve anëtare të NATO-s dhe i tërhoqi kërcënimet për vendosje të doganave për aleatët evropianë të cilët kundërshtuan planet e tij që Amerika ta marrë ishullin.
Pasi me javë të tëra e shqetësonte aleancën transatlantike me retoriken e tij, presidenti amerikan tha se takimi ka sjellë deri në “kornizë” për marrëveshje të mundshme. Në rrjetet sociale Trampi ofroi pak detaje për bisedën të cilën edhe ai edhe përfaqësuesit e NATO-s e përshkruan si “shumë produktive”.
Megjithatë, nuk kishte indikacione për marrëveshje e cila do ta përmbushte kërkesën e Trampit për pronësi amerikane mbi Grenlandë, ambicie të cilën përsëri e theksoi në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër, duke e përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake.
“Formuam kornizë për marrëveshje të ardhshme në lidhje me Grenlandën dhe, në fakt, për gjithë rajonin arktik. Kjo zgjidhje, nëse realizohet, do të jetë e shkëlqyer për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjitha vendet e NATO-s”, njoftoi ai në Truth Social.
Burime diplomatike për Si-Bi-Es deklaruan se nuk ekziston kurrfarë marrëveshje për kontrollin amerikan ose pronësinë mbi atë territor autonom i cili është në udhëheqjen daneze. Trampi shtoi se sekretari shtetëror Marko Rubio dhe i dërguari i posaçëm Stiv Uitkof “direkt do ta njoftojnë” derisa zgjasin bisedimet.
“Dita përfundoi në ton më të mirë se sa që filloi. Tani të ulemi dhe të shohim si mund t’u përgjigjemi shqetësimeve amerikane të sigurisë në Arktik, duke i respektuar linjat e kuqe të Mbretërisë Danimarkë”, tha ministri danez i Punëve të jashtme, Lars Loks Rasmusen.
Detaje për marrëveshjen
Në orët në vijim, filluan të dalin detaje individuale për marrëveshjen.
Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, Trampi u tha gazetarëve se marrëveshja e mundshme mund të përfshijë të drejtat mbi burimet minerale të Grenlandës. Ai shtoi se aleatët evropianë mund të bashkëpunojnë në planin e dytë të Trampit - sistem mbrojtës të quajtur "Kupola e Artë" - që do të mbronte SHBA-në nga sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi.
Përveç pozitës strategjike të Grenlandës, SHBA-ja foli edhe për rezervat e mëdha dhe të pashtetëzuara të mineraleve të rralla tokësore në ishull, prej të cilëve shumë janë kyçe për teknologji siç janë telefonat mobilë dhe automjetet elektrike.
“Ajo është marrëveshja përfundimtare afatgjate. I vendos të gjithë në pozitë shumë më të mirë, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë dhe mineralet. Ajo është marrëveshje e cila zgjat përgjithmonë”, porositi Trampi.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s deklaroi se në takimin me Trampin nuk ka biseduar për çështjen kyçe të sovranitetit danez mbi Grenlandën. Trampi paraprakisht e hodhi poshtë idenë për marrje me qira të Grenlandës.
Sipas mediave amerikane, plani i mundshëm mund t’i lejojë SHBA-së të ndërtojë baza ushtarake shtesë në territor. Zyrtarët që morën pjesë në takimin e NATO-s të mërkurën deklaruan për Nju Jork Tajm se marrëveshja e propozuar mund të ngjajë me bazat britanike në Qipro, të cilat janë pjesë e territoreve britanike përtej detit.
Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, SHBA-ja mund të shpërndajë numër të pakufizuar të ushtarëve në Grenlandë. Tashmë ka më shumë se 100 pjesëtarë të stacionuar vazhdimisht në ushtrinë në bazën Pitufik në pjesën veriperëndimore të territorit.
Foto: EPA