• e hënë, 23 dhjetor 2024

Zbatohet një projekt për përforcimin e kapaciteteve tek të rinjtë për aplikimin e masave të sigurisë kibernetike

Zbatohet një projekt për përforcimin e kapaciteteve tek të rinjtë për aplikimin e masave të sigurisë kibernetike

Shkup, 21 shkurt 2024 (MIA) - Dhuna kibernetike tek të rinjtë gjithnjë e më shumë është në rritje, ndërsa viktimat dhunën më shpejt do ta raportonin te shokët e tyre të klasës, sesa te mësuesit ose shërbimet profesionale, kjo u theksua në ngjarjen e sotme kushtuar fuqizimit të të rinjve për t'u përballur me sigurinë dhe hunën kibernetike.

Eksperta e projektit Maja Hristova tha se ky projekt synon të forcojë kapacitetet tek të rinjtë, përkatësisht nxënësit për aplikimin e masave të sigurisë kibernetike, ndërsa me këtë të reduktohet dhuna kibernetike, e cila është treguar se kohët e fundit është në nivel të lartë.

"Gjatë projektit realizuam trajnime që synonin përmirësimin e programeve shkollore në shkollat ​​e përfshira gjatë projektit, punëtori me të rinjtë dhe vendosëm konceptin e edukimit të bashkëmoshatarëve, pasi gjithë kësaj i parapriu një hulumtim që tregoi se të rinjtë kanë më shumë besim të raportojnë çfarëdo forme të dhunës, veçanërisht dhunës kibernetike, mes shokëve të klasës, sesa mes profesorëve dhe shërbimeve profesionale, sqaroi Hristovska.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, i cili para nxënësve dhe mësimdhënësve të pranishëm, theksoi se Ministria për forcimin e sigurisë kibernetike është e përkushtuar ndaj Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Sigurinë Kibernetike, të cilat synojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohurive në fushën e sigurisë kibernetike, në të gjitha nivelet e arsimit dhe tek të gjithë aktorët e arsimit.

"Edukimi ka një rol kyç në ndërtimin e të rinjve si individë të cilët përveç njohurive dhe aftësive kanë edhe norma vlerash për zbatimin e tyre. Prandaj, si Ministri veprojmë në drejtim të ndërtimit të personaliteteve jo të dhunshme, njëkohësisht duke u mundësuar të rinjve të marrin njohuri për të njohur dhe përballur me rreziqet që fshihen pas çdo klikimi", theksoi ministri Shaqiri.

Ai në fjalimin e tij theksoi se dhuna kibernetike në hapësirën e internetit po përhapet në masë të madhe.

"Teknologjia dixhitale, përmes rrjeteve sociale, platformave të mesazheve dhe lojërave si dhe përmes telefonave celularë, përveç aspekteve të shumta pozitive, na ekspozon të gjithëve ndaj kërcënimeve të reja ndaj privatësisë dhe sigurisë në kuptimin më të gjerë. Fëmijët dhe të rinjtë janë më të rrezikuarit. Me reformën e sistemit edukativo-arsimor, përmes programeve mësimore promovojmë zgjidhjen jo të dhunshme të konflikteve, por edhe parandalimin dhe masat për përballje me dhunën, përfshirë dhunën kibernetike", tha Shaqiri.

Ai iu referua edhe Programit për trajnime për aftësim profesional të mësuesve.

"Në programin për trajnime për aftësim profesional të mësuesve, që është një dokument që në nivel vjetor e miraton ministri i Arsimit dhe Shkencës, modul i veçantë është: krijimi i një mjedisi të sigurt dhe stimulues për mësim - Përballje me dhunën e bashkëmoshatarëve dhe dhunën kibernetike. Përforcim të kompetencave profesionale përmes trajnimeve kalojnë edhe bashkëpunëtorët profesional, si hallkë e rëndësishme e procesit edukativo-arsimor ku nxënësit fillimisht drejtohen për t'i tejkaluar sfidat", deklaroi ministri.

Shaqiri theksoi se në bashkëpunim me organizatat partnere ndërkombëtare janë organizuar trajnime për sigurinë kibernetike për nxënësit, stafin mësimdhënës dhe prindërit, ndërsa në bashkëpunim me Ministrinë e Shoqërisë Informatike po punohet për përmirësimin e aftësive digjitale jo vetëm të fëmijëve dhe të rinjve, por edhe të prindërve dhe mësuesve.

"Në 40 shkolla fillore kemi instaluar pajisje të reja informatike - komunikuese, ku kërkimi i përmbajtjeve është i kufizuar vetëm për nevoja arsimore, duke mundësuar akses të sigurt në internet.Pavarësisht mendimeve të ndryshme, lufta kundër dhunës kibernetike është e vazhdueshme, përfshin aktivitete të shumta dhe përmes formave të ndryshme heton situatat reale dhe mendimet për tejkalimin e tyre, duke i inkorporuar në dokumente që tërheqin veprimin e institucioneve", tha Shaqiri. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR