• e hënë, 23 dhjetor 2024

Zaluzhni: Lufta e tretë Botërore tashmë ka filluar

Zaluzhni: Lufta e tretë Botërore tashmë ka filluar

Kiev: 22 nëntor 2024 (MIA) - Valerij Zaluzhni, ambasadori ukrainas në Britaninë e Madhe dhe ish komandant suprem i Forcave të armatosura të Ukrainës, vlerëson se pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e aleatëve autokratikë të Rusisë në luftën kundër Ukrainës tregon se Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar.

"Besoj se në vitin 2024 mund të themi me siguri se Lufta e Tretë Botërore ka filluar. Shkaku për këtë është se në vitin 2024, Ukraina më nuk po përballet vetëm me Rusinë. Ukraina po përballet me trupa nga Koreja e Veriut. Le të jemi të sinqertë, dronët iranianë Shahed po vrasin hapur civilë në Ukrainë", tha Zaluzhni.

Raketat e prodhuara në Korenë e Veriut, tha ai, po lansohen në Ukrainë, e ata nuk e fshehin këtë.

"Granata të prodhimit kinez po shpërthejnë në tërë Ukrainën, ndërsa pjesë nga Kina po instalohen në raketat ruse", shtoi Zaluzhni.

Ai theksoi se shumica e oficerëve ushtarakë pajtohen se të gjithë këta faktorë tregojnë në atë se lufta botërore tashmë ka filluar dhe se bota duhet të jetë e gatshme për këtë.

"Atë që kemi pritur prej kohësh, po ndodh tani. Por dua të them se Zoti jep mundësinë, jo vetëm Ukrainës, por edhe mbarë botës, që me kohë të vijnë deri në konkludimet e duhura. Ka ende mundësi për ta ndaluar këtë këtu, në territorin e Ukrainës", deklaroi Zaluzhni.

Për fat të keq, shtoi ai, partnerët tanë refuzojnë ta kuptojnë këtë për ndonjë arsye.

"Qartë është se Ukraina tashmë ka shumë armiq. Ukraina do të mbijetojë falë teknologjisë, por mbetet çështja nëse mund ta fitojë e vetme këtë betejë. Për këtë shkak, mendoj se lufta botërore tashmë ka filluar”, përfundoi ai. bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR