• e enjte, 09 prill 2026

Zëvendësguvernatorët e Bankës Popullore, Ana Mitreska dhe Igor Veliçkovski, do të japin një deklaratë solemne para kryetarit të Kuvendit

Zëvendësguvernatorët e Bankës Popullore, Ana Mitreska dhe Igor Veliçkovski, do të japin një deklaratë solemne para kryetarit të Kuvendit

Shkup, 9 prill 2026 (MIA) - Zëvendësguvernatorët e Bankës Popullore, Ana Mitreska dhe Igor Veliçkovski sot do të japin deklaratë solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. 

Kuvendi dje i zgjodhi Mitreskën dhe Veliçkovskin për zëvendësguvernatorë me mandat prej shtatëvjeçar, me propozim të guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski 

Ana Mitreska është rizgjedhur për mandat të dytë në funksionin e zëvendësguvernatores, pasi për herë të parë ishte emëruar në tetor të vitit 2018. Ajo është magjistre në ekonominë monetare dhe ka mbi 25 vite përvojë pune në Bankën Popullore. Gjatë karrierës së saj deri më tani, ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e analizave makroekonomike, projeksioneve afatmesme dhe aktivitetit kërkimor, ndërsa ka marrë pjesë aktive edhe në komunikimin me institucionet financiare ndërkombëtare dhe agjencitë e vlerësimit të kredisë. Mitreska është autore e shumë punimeve shkencore dhe profesionale në fushën e politikës monetare dhe fiskale.

Për zëvendësguvernator është zgjedhur edhe Igor Veliçkovski, një profesionist i shquar me përvojë të gjatë në fushën e sistemeve të pagesave dhe tregjeve financiare. Ai ka doktoraturë në ekonominë monetare nga Universiteti i Stafordshir, Britania e Madhe, dhe ka mbi 30 vjet që është pjesë e Bankës Popullore. Para zgjedhjes në funksionin e zëvendësguvernatorit, Veliçkovski ishte drejtor i Sektorit për operacione në tregjet financiare dhe sistemet e pagesave, ku ishte i përfshirë në reforma kyçe të infrastrukturës së pagesave dhe modernizimin e proceseve të saj, si dhe në integrimin e vendit në Zonën e vetme evropiane të pagesave – SEPA në vitin 2025.

Gjatë debatit në Kuvend, deputetja Sanja Lukarevska nga LSDM-ja shprehu kritika lidhur me procedurën dhe afatet për zgjedhjen e zëvendësguvernatorëve. Ajo theksoi se nuk e vë në diskutim kredibilitetin profesional dhe biografitë e kandidatëve, duke i vlerësuar si "mbresëlënëse", por theksoi se procedura për propozimin dhe zgjedhjen e tyre nuk ishte kryer në përputhje me afatet ligjore.

Lukarevska kujtoi se mandati i dy zëvendësguvernatorëve kishte përfunduar më 18 tetor të vitit 2025, ndërsa zgjedhja u realizua më 8 prill 2026, duke vlerësuar se me këtë është shkelur Ligji për Bankën Popullore. Sipas saj, një vonesë  e tillë rrezikon funksionimin ligjor, legjitimitetin dhe kredibilitetin e Bankës Popullore, veçanërisht në kushte të ndjeshmërisë ekonomike dhe financiare. Ajo njoftoi se grupi parlamentar i LSDM-së do të votojë kundër zgjedhjes, jo për shkak të kandidatëve, por, siç tha, "si një alarm për mosrespektimin e ligjeve dhe afateve". qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR