• e martë, 24 dhjetor 2024

Xhozef: Maltretimi bullgar i Maqedonisë së Veriut tashmë është problem edhe i NATO-s

Xhozef: Maltretimi bullgar i Maqedonisë së Veriut tashmë është problem edhe i NATO-s
Uashington, 25 qershor 2022 (MIA)- Presidenti amerikan Xho Bajden nuk mund të lejojë mes aleateve të NATO-s, një vend anëtare ta detyrojë dhe keqtrajtojë një vend tjetër, sepse është më i madh ose siç është në rastin me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse është anëtare e BE-së, thekson profesori universitar amerikan dhe ekspert për Ballkanin, Eduard Xhozef. “Kjo tashmë është problem edhe për NATO-n. Këtë nuk mund ta lejojmë. Kjo është aleancë, NATO është aleancë, nuk mund që SHBA të lejojë agresion ndaj identitetit, përdorimit të forcës në këtë mënyrë. Kjo është serioze, nuk është punë e vogël. Identiteti i njerëzve lidhet me identitetin e shtetit, avancimin e shtetit, brendinë dhe stabilitetin dhe marrëdhëniet e mira mes maqedonasve dhe shqiptarëve që është edhe interes i jonë. Nga ana tjetër interes i Vlladimir Putinit janë ndarjet dhe konfliktet. Ndarje mes bullgarëve dhe maqedonasve, ndarje mes shqiptarëve dhe maqedonasve, mes serbëve dhe kosovarëve. Putini këtë e dëshiron në Ukrainë, këtë e dëshiron edhe në Ballkan, ndarje, konflikte, derisa interesi i SHBA-së është që e gjithë kjo të ndalojë, duke filluar me afirmimin në formë zyrtare të shkruar të identitetit maqedonas”, thotë Xhozef në intervistën për Klan Maqedoni. Sipas tij në këtë mënyrë me afirmimin amerikan të identitetit maqedonas, kombit dhe gjuhës do të dërgohet porosi deri te Sofja: “Ju asnjëherë nuk do të fitoni, asnjëherë nuk do të mund ta fshini identitetin maqedonas”. Ai shton se ky është sinjali që ju duhet në Bullgari dhe liderëve bullgar si kryeministri Kiril Petkov, që duan ta zgjidhin këtë çështje. “Ju japin hapësirë historianëve në Komisionin e përbashkët të bisedojnë mbi bazë ekspertësh, jo në bazë të forcës të llojit ‘ne jemi më të fuqishëm se ju dhe nuk është doemos të respektojmë dispozitat e marrëveshjes për miqësi, ju duhet ta dëgjoni versionin tonë të historisë me forcë’: Kjo është kundër parimeve të NATO-s, BE-së dhe SHBA-së”, tha Xhozef. Sipas tij pas rënies së Qeverisë së Petkovit, si kryeministër teknik në Bullgari do të mund të kthehet Stefan Janev i cili si ish ministër i Mbrojtjes, agresionin rus ndaj Ukrainës e quante “operacion special ushtarak”. “Pra do të kemi njeri të Putinit i cili përsëri do të udhëheq shoun në Bullgari, anëtare e NATO-s dhe BE-së. Ky është problem i madh për presidentin Bajden. Ky është problem i madh për NATO-n. Ndërkohë Maqedoninë e Veriut e kemi anëtare lojale të NATO-s, vend që ofron mbështetje të plotë për Ukrainën. E dimë se lidershipi i vendit, presidenti Stevo Pendarovski dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski do të përballen me kritika të ashpra, shqetësime dhe sulme. Këtë e pamë me VMRO-në nga Hristijan Mickoski. Pra veçmë kishte reagime për shkak të propozimit francez këtu. Kjo do të thotë se presidenti Bajden do të ketë krizë të dyfishtë këtu. Raportet mes dy vendeve aleate të NATO-s do të përkeqësohen dhe ky është shqetësim për SHBA-në”, tha Xhozef. I pyetur të japë koment për “propozimin francez”, Xhozef tha se nuk beson se Franca dhe presidenti i saj Emanuel Makron kanë pasur “motive të këqija”, por problemi është në “dobësinë dhe pafuqinë e Bashkimit Evropian”. “Pra Makron si dhe vende tjera të BE-së dhe kuptohet SHBA, megjithëse nuk janë anëtare e BE-së, duan të hiqet vetoja dhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të mund të fillojnë bisedimet. Por problemi është se janë shumë të dobët, ndërsa Bullgaria po e shfrytëzon këtë situatë duke e keqpërdorur procesin e BE-së. Rregullat, protokollet e BE-së thonë se nuk duhet të vendosni çështje dypalëshe në procesin e anëtarësimit. Ai proces i referohet diçkaje tjetër - nëse Maqedonia e Veriut i plotëson kushtet, nëse zbaton reforma dhe sundim të ligjit dhe çështje të tjera, por jo për ankesa për historinë dhe gjuhën, tha Xhozef. Ai shton se në kushtet e tanishme BE-së i duhet SHBA-ja “për ndalimin e Putinit në Ukrainë dhe ndalimin e agresionit ndaj identitetit dhe maltretimit nga Bullgaria”. “Nevojitet që SHBA të përfshihet dhe të inkurajojë Maqedoninë e Veriut sepse Uashingtoni e njeh identitetin maqedonas dhe t’i dërgojnë sinjal Bullgarisë se ‘asnjëherë nuk do ta arrijë qëllimin e saj, asnjëherë nuk do ta fshijë identitetin maqedonas’. Kjo është çështja kyçe”, tha Xhozef në intervistë.  

QËNDRONI TË LIDHUR