• e premte, 20 dhjetor 2024

Xhaferi: Të bashkuar të vazhdojmë dhe të sigurojmë mirëqenie sot dhe për brezat që do të vijnë

Xhaferi: Të bashkuar të vazhdojmë dhe të sigurojmë mirëqenie sot dhe për brezat që do të vijnë

Shkup, 5 maj 2024 (MIA)- Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin e tij, dërgoi telegram urim për festën krishtere, Ringjalljen e Krishtit – Pashkët tek kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase - Kryepeshkopata e Ohrit, Kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, z.z. Stefanit, Sinodit të Shenjtë të Peshkopëve, klerikëve dhe murgjve të KOM-KO, besimtarëve ortodoksë dhe të gjithë qytetarëve që e festojnë sot festën.

“Kam kënaqësinë që në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim, t'ju uroj festën e madhe krishtere, Ngjalljen e Krishtit - Pashkët, juve, Sinodit të Shenjtë të Peshkopëve, klerikëve dhe murgjve të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit, besimtarëve ortodoksë dhe të gjithë qytetarët që e festojnë sot festën. Mesazhi i Pashkëve për fitoren e jetës mbi vdekjen është një mesazh që ngjall shpresë se për jetën, vlen të ndërmerret çdo hap guximi dhe sakrifice, hapi i cili çon drejt një qëllimi të ndritshëm. E mira e përbashkët, është një përcaktim i bekuar njerëzor dhe ajo mund të arrihet vetëm nëse respektohen postulatet bazë të cilave u referohen shembujt e shumtë në histori”, thuhet në urimin e Xhaferit.

Sidomos në kontekstin e sotëm, shton ai kur njerëzimi dhe bota për çdo ditë përballen me sfida të ndryshme që e kërcënojnë jetën, paqen, shëndetin dhe mirëqenien mentale, nevojiten më shumë se kurrë mesazhet e shpresës, unitetit dhe besimit në atë të mirë të përbashkët, të bazuar mbi praktikimin e vlerave universale siç janë humanizmi, solidariteti, përgjegjësia dhe respekti i ndërsjellë.

“Roli juaj ka përgjegjësi të madhe dhe unë Ju uroj urtësi në përmbushjen e misionit tuaj fisnik. Ju uroj që festën ta kaloni me shëndet të mirë, paqe shpirtërore dhe lumturi mes të dashurve dhe me mirëkuptim, respekt të ndërsjellë dhe të bashkuar, të vazhdojmë ta avancojmë Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të sigurojmë mirëqenie sot dhe për brezat e ardhshme”, qëndron në urimin e kryeministrit Xhaferi drejtuar kreut të KOM – OA, z.z Stefanit.

 

QËNDRONI TË LIDHUR