• e premte, 20 dhjetor 2024

Xhaferi - Rama: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shembull i fqinjësisë së mirë dhe i nevojiten Evropës 

Xhaferi - Rama: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shembull i fqinjësisë së mirë dhe i nevojiten Evropës 

Shkup, 16 shkurt 2024 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot pasdite në Mynih është takuar me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në takim, thuhet në kumtesë, u theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe miqësia e madhe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, e cila është shembull i fqinjësisë së mirë në rajon, dhe si rrjedhim kontribut për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.  

Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe u konstatua se bashkëpunimi është gjithëpërfshirës, ka një rritje të trendit të shkëmbimit tregtar, dialogu politik është i rregullt dhe në të gjitha nivelet dhe synimi i përbashkët është integrimi evropian i dy vendeve dhe rajonit.

Në takim u theksua se të dy vendet, me politika evropiane, i nevojiten Evropës dhe meritojnë të bëhen anëtarë të plotë të Bashkimit deri në vitin 2030 dhe se procesi i negociatave do të mundësojë procese reformuese efektive dhe avancimin të jetesës sipas standardeve evropiane, që është pritshmëria e qytetarëve. Në këtë drejtim, u vlerësua se konfirmimi më serioz politik nga BE-ja për integrim efikas evropian në Ballkanin Perëndimor është Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian. Dhe, u theksua përcaktimi për të avancuar kapacitetet ekonomike, me synimin e rritjes dhe zhvillimit të përshpejtuar ekonomik rajonal, sipas standardeve evropiane.

Kryeministri Xhaferi konfirmoi praninë në Konferencë në nivel të lartë kushtuar Planit të rritjes të BE-së, në fund të këtij muaji në Tiranë, duke konstatuar se është një mundësi tjetër për të riafirmuar përkushtimin e rajonit për fuqizimin e mëtejshëm të lidhjes rajonale dhe tregun e përbashkët rajonal, si parakusht për përgatitjen për hyrje në tregun e përbashkët evropian. Dhe, ai konfirmoi praninë edhe në Samitin Evropa Juglindore - Ukrainë, në Tiranë, si një mundësi për të riafirmuar bashkimin me publikun demokrat ndërkombëtar, në mbrojtje të paqes.

Në takim, qëndron në kumtesë, u diskutua edhe për pritshmëritë nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në këtë vend, duke theksuar rolin e subjekteve politike pro-evropiane që e kanë vendosur vendin në rrugën demokratike euroatlantike dhe para së cilës është realizimi i perspektivave evropiane, për nga rëndësia për të gjithë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për rajonin. bsh/

Foto dhe video: Qeveria e RMV-së

 

QËNDRONI TË LIDHUR