• e shtunë, 23 nëntor 2024

Xhaferi: Pajtimi dhe bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit

Xhaferi: Pajtimi dhe bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit

Shkup, 14 tetor 2023 (MIA) -  Bashkëpunimi parlamentar i vendeve të Ballkanit Perëndimor është edhe një tjetër gur i përforcimit në sigurimin e progresit gjithëpërfshirës për rajonin me përkushtim ndaj vlerave kryesore evropiane të demokracisë, sundimit të së drejtës  dhe të drejtave fundamentale, konsideron kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili mbajti fjalim në sesionin "Perspektivat për paqe dhe pajtim në Ballkanin Perëndimor" në kuadër të konferencës rajonale “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE – sfidat dhe perspektivat” që sot po mbahet në Shkup.

Sipas tij, Unioni inter-parlamentar me të drejtë konkludon se "Deputetët kanë kuptim unik të diversitetit ndër njerëzit dhe janë në pozitë më të mirë për ti artikuluar aspiratat e njerëzve dhe të shpjegojnë se çfarë është me të vërtetë me rëndësi për to".  

 "Dhe ky është parakusht për punën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara nëpër të gjitha vendet dhe parimin e saj kryesor për të mos lënë askënd prapa, që e bën Parlamentin një ndër partnerët kryesorë. Pajtimi dhe bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit. Janë faktori fondamental për partnerët tanë dhe për ne si vende në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ardhmëria e gjithë rajonit është pikërisht në to. Dhe, kjo Konferencë është provë se ne si rajon, vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe afrimi ndërmjet popujve tanë, shteteve tona dhe tërë rajonit me Bashkimin Evropian. Kështu krijojmë hapësirë të bollshme për zhvillimin dhe avancimin e kësaj pjese të kontinentit duke u koordinuar për projekte të përbashkëta të filluara në kuadër të Procesit të Berlinit, Qëllimeve të qëndrueshme të Kombeve të Bashkuara dhe politikave të Unionit", theksoi Xhaferi.

 

Theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut punoi dhe vazhdon të punojë edhe më tej në drejtim të arritjes së përcaktimeve strategjike, respektivisht anëtarësimit të plotfuqishëm në BE dhe NATO.

"Tani më jemi anëtar i plotfuqishëm në NATO dhe kontribuojmë krah më krah me aleatët tanë në përpjekjet për paqe në botë. Por për anëtarësimin në Bashkimin Evropian situata është ndryshe. Pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në dhe pas skriningut, jemi në pritje të mbajtjes së seancës së dytë ndërqeveritare e cila për fat të keq është e kushtëzuar me bërjen e ndryshimeve kushtetuese. Dhe, tani më shumë se kurdoherë nevojitet që vizioni për ardhmërinë e Evropës të shndërrohet në vepër, procesi i zgjerimit të fitojë në dinamikë ndërsa negociatat për anëtarësim të bëhen realitet. Zgjerimi i familjes evropiane me vendet e Ballkanit Perëndimor paraqet investim strategjik në paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet, sidomos tani, në këtë situatë të paqes së brishtë në rajon", shtoi kryetari i Kuvendit. 

 Porositi që konferebca e sotme rajonale, të cilën e organizon Klubi i Podgoricës dhe Federata e Paqes Universale, të jetë "zëri i përbashkët i fuqishëm i rajonit për të zgjuar ndërgjegjen, përgjegjësinë dhe aksionin për një botë më të mirë dhe më të drejtë ku çdo qenie njerëzore vlerësohet dhe respektohet njëlloj".

 Foto: Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

QËNDRONI TË LIDHUR