• e hënë, 23 dhjetor 2024

Xhaferi në Samitin e dytë parlamentar të Platformës ndërkombëtare të Krimesë

Xhaferi në Samitin e dytë parlamentar të Platformës ndërkombëtare të Krimesë

Shkup, 23 tetor 2023 (MIA)- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në cilësinë e kryetarit të Grupit ndërparlamentar partiak për mbështetjen e platformës ndërkombëtare të Krimesë sot dhe nesër në Pragë të Republikës së Çekisë do të marrë pjesë në Samitin e dytë parlamentar të platformës ndërkombëtare të Krimesë. Në përbërje të delegacionit janë edhe deputetët Dime Velkoski, Nikola Micevski dhe Arbër Ademi të cilët janë anëtarë të Grupit.

Siç informon Pres shërbimi i Kuvendit, Xhaferi do të mbajë fjalim në Samit, ndërsa në margjinat do të realizojë takime bilaterale me kolegët e vet.

Në vitin 2021, Platforma ndërkombëtare e Krimesë u themelua në Samitin e parë inaugurues në Kiev, ndërsa Samiti i parë i dimensionit parlamentar i Platformës së Krimesë u mbajt më 24 dhe 25 tetor 2022 në Zagreb, Republika e Kroacisë. Ky është forumi i vetëm koordinues dhe konsultativ në nivelin qeveritar, parlamentar dhe të ekspertëve, i cili përqendrohet në pesë fusha me prioritet: Politika e mosnjohjes, sanksionet, mbrojtja e të drejtave njerëzore; liria e navigacionit; pasojat ekonomike dhe ekologjike nga okupimi i përkohshëm.

Dimensioni parlamentar ka për qëllim të ngre vetëdijen te liderët botërorë dhe publiku më i gjerë për okupimin jo legjitim rus të Krimesë, për ndikimin e tij negativ mbi të drejtat e njeriut te popullsia lokale, mbi sigurinë në rajonin e Detit të Zi, mbi sigurinë globale të ushqimit si edhe rendit botëror të bazuar mbi rregulla. Ndryshe, ky Samit do të rrumbullakohet me miratimin e Deklaratës së përbashkët.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR