• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Xhaferi: Mbrojtja e të drejtave të njeriut si themel i demokracisë është përgjegjësi e çdo individi dhe institucioni

Xhaferi: Mbrojtja e të drejtave të njeriut si themel i demokracisë është përgjegjësi e çdo individi dhe institucioni

Shkup, 12 dhjetor 2023 

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi në përvjetorin jubilar 25-vjetori i institucionit të Avokatit të Populli: 

Më lejoni që në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqeodnisë së Veriut dhe në emrin tim personal të përshëndes mysafirët e prainishëm në këtë eveniment solemn. Njëherazi, të uroj jubileun 25-vjetor të themelimit të institucionit të Avokatit të Popullit si edhe 75-vjetorin e miratimit të Deklaratës universale për të drejtat dhe liritë e njeriut, duke uruar që të gëzojmë të gjithë së bashku edhe shumë jubile të ardhshme. 

Të nderuar,

Të drejtat dhe liritë e njeriut janë parime dhe standarde mbi të cilat është ndërtuar e kaluara, ndërtohet e tashmja dhe detyrimisht edhe ardhmëria e civilizimit njerëzor. Pikërisht për këtë, çdo shoqëri dhe çdo shtet që synon demokracinë e mirëfilltë në të cilën sundon e drejta, doemos ti mbrojë, kultivojë dhe përsosë këto të drejta.

 Fillimisht i inicuar në Parlamentin suedez si institucion për mbrojtjen e qytetarëve dhe të drejtave të tyre, Ombudsmani, që në përkthim të lirë do të thotë "personi për ankesa", është me të drejtë dera ku drejtohen të gjithë ato që në një çast të jetës u është bërë cenim i ndonjë të drejte dhe janë privuar nga gëzimi i të njëjtës prej shtetit dhe institucioneve shtetërore.

 Te ne, institucioni i Ombudsmanit bëhet pjesë e sistemit juridik kushtetues para njëzetepesë viteve dhe sipas Kushtetutës dhe ligjit, nuk është pjesë as e pushtetit ekzekutiv, as i atij ligjvënës apo gjyqësor, që i siguron pavarësi të tërësishme vi-za-vi cilitdo institucioni tjetër shtetëror. Dhe, mund të them me plot sinqeritet se në këto njëzet e pesë vite të ekzistimit dhe punës, Avokati i Popullit u vërtetua si institucion i lartë profesional dhe i pavarur, i cili në punën e vet niset nga parimet e barazisë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, pa dallim në gjini, ngjyrë, racë, fe, përkatësi politike dhe ngjashëm dhe kjo jep shpresë.

 Kuvendi, si institucioni ku zgjidhet Avokati i Popullit, çdo vit e shqyrton dhe e miraton raportin për punën e Avokatit të Popullit dhe nëpërmjet raporteve, ne mund ta orientojmë edhe rolin tonë mbikëqyrës në mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave njerëzore. Mund të them se në këtë periudhë, Avokati i Popullit është bërë i dukshëm për opinionin dhe ka fituar besimin e qytetarëve në mbrojtjen e të drejtave kushtetuese dhe ligjore, kur ato janë cenuar nga organet e administrimit shtetëror.

 Zonja dhe zotëri,

Të drejtat dhe liritë e njeriut janë kategori dinamike, por në të njëjtën kohë, edhe kategori shumë e cenueshme. Prej dite në ditë, shohim se në çka shndërrohet bota, njërëzit, vendimmarrësit. Dhe për fat të keq, nuk ndryshon për të mirë. Shohim zhvendosje totale të vlerave humane, mospërfillje të drejtave të pranuara universale për jetë, liri, siguri të fëmijëve, familjes. Mospërfillje as edhe nga nënshkruesit e deklaratave universale. Institucionet e pavarura që punojnë në drejtim të mbrotjes së të drejtave të njeriut po ashtu duhet të bazohen në parimet e Parisit. Nevojitet zgjim moral, respekt ndër-njerëzor.

Dhe, kjo betejë nuk bëhet vetëm prej një institucioni!

Mbrojtja e të drejtave njerëzore si themeli i demokracisë është përgjegjësi e çdo individi, e çdo institucioni. Duhet të gjithë së bashku të punojmë në ngritjen e vetëdijes që nga qeliza themelore – familja, për të ndërtuar shoqëri të drejta dhe humane.

 Faleminderit për vëmendjen dhe ju uroj sukses të mëtejshëm!

 Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut

 ______________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR