Votimi ishte pa asnjë parregullsi dhe në frymën e përgjegjësisë qytetare, vlerësuan nga koalicioni VLEN
- - Në Selinë Qendrore të koalicionit VLEN në konferencë për media, zëdhënësi Driton Sulejmani bëri përmbledhje të ditës së zgjedhjeve. Ai theksoi se procesi i votimit në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale u zhvillua në një atmosferë paqësore dhe demokratike në të gjitha komunat.
- Post By Fitore Curri
- 19:55, 2 nëntor, 2025
Tetovë, 2 nëntor 2025 (MIA) - Në Selinë Qendrore të koalicionit VLEN në konferencë për media, zëdhënësi Driton Sulejmani bëri përmbledhje të ditës së zgjedhjeve. Ai theksoi se procesi i votimit në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale u zhvillua në një atmosferë paqësore dhe demokratike në të gjitha komunat.
"Sipas informacioneve nga terreni, procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë parregullsi dhe në frymë të përgjegjësisë qytetare. VLEN shpreh mirënjohje për të gjithë qytetarët që sot ushtruan të drejtën e tyre të votës me qetësi dhe dinjitet duke dëshmuar në këtë mënyrë kulturë të lartë demokratike", theksoi Sulejmani.
Ai tha se presin që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve fazën e mbylljes dhe numërimit të votave ta zhvillojnë ashtu si në rrethin e parë, me transparencë të plotë, saktësi dhe profesionalizëm, në përputhje me ligjin dhe me vullnetin e qytetarëve.
"Sipas vlerësimeve tona kandidatët e koalicionit VLEN kanë marrë mbështetje të gjerë në të gjitha komunat ku garojnë, dhe presim rezultate që do të konfirmojnë këtë besim. VLEN do të vazhdojë ta ndjekë me kujdes procesin deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare dhe mbetet e përkushtuar ndaj zgjedhjeve të ndershme, respektimit të çdo vote dhe forcimit të besimit në proceset demokratike", theksoi Sulejmani.
Ai paralajmëroi edhe konferenca të reja për media në orët e ardhshme në të cilat do të publikohen edhe rezultatet e para. fc/
Foto: MIA