VMRO-DPMNE: Nuk është biseduar për ndryshimin e himnit dhe as që do të bisedohet në të ardhmen
- VMRO-DPMNE-ja sot ka demantuar se është biseduar dhe as që do të bisedohet për ndryshimin e himnit dhe u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të qetë.
- Post By Fami Bajrami
- 15:07, 14 shkurt, 2025
![VMRO-DPMNE: Nuk është biseduar për ndryshimin e himnit dhe as që do të bisedohet në të ardhmen](https://mia.mk/images/20250214150703_big_730x400_68.webp )
Shkup, 14 shkurt 2025 (MIA) - VMRO-DPMNE-ja sot ka demantuar se është biseduar dhe as që do të bisedohet për ndryshimin e himnit dhe u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të qetë.
"BDI është matrica për etnizimin e gjitha çështjeve të rëndësishme dhe politika ping -pong e LSD-së duhet të ndalet. Asnjëherë nuk është biseduar për ndryshimin e himnit dhe as që do të bisedohet në të ardhmen. Qytetarët mund të jenë të sigurt. Koha e BDI-së dhe LSD-së në humbjen për të gjitha çështjet me qëllim për të mbuluar krimin, ka përfunduar", thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
LSDM-ja dyshon se përveç bisedimeve për ndryshimin e stemës shtetërore, mund të diskutohet edhe për ndryshimin e himnit.
"Konkretisht, mendoj se dilema e parë që lind është nëse ndoshta brenda koalicionit me VLEN-in, duke dhënë këtë propozim për ndryshimin e stemës shtetërore, nuk është biseduar edhe për ndryshimin e himnit. Dhe kjo është diçka për të cilën VMRO-DPMNE duhet të përgjigjet", tha dje lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
Ministri i Shëndetësisë nga Koalicioni VLEN, Arben Taravari duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me ndryshimin e stemës shtetërore, tha se janë të gatshëm të bisedojnë për gjithçka, për pakon e masave me të cilat do t'i zgjidhim të gjitha çështjet e mbetura nga e kaluara.
Siç tha Taravari, Maqedonia është një nga shtetet e rralla postsocialiste stema e së cilës nuk është ndryshuar.
"VLEN është i gatshëm të bisedojë për gjithçka. Për fat të keq, në periudhën e kaluar shumë tema të ndjeshme vihen nën qilim. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për pakon e masave të cilat janë të pazgjidhura në 20-30 vitet e fundit dhe në pako t'i zgjidhim, pse këtu të mos jenë edhe stema edhe himni dhe 20 për qindëshi si dhe çështje tjera etnike nëse ka dhe të fokusohemi në ekonominë, eurointegrimet, antikorrupsionin, pagat më të mira, jetën më të mirë"...theksoi Taravari.
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski dje konfirmoi se partitë e koalicionit qeveritar VMRO-DPMEN-VLEN e kanë hapur çështjen për ndryshimin e stemës shtetërore.
"Ne këtë çështje e kemi hapur. Ne jemi një nga dy vendet postsocialiste që ende e kanë stemën e vjetër të shtetit, me disa ndryshime të vogla", tha Mickoski.
Foto: arkivi i MIA-s