VLEN: Zgjedhjet mbahen në atmosferë demokratike dhe pa incidente, institucionet përgjegjëse të vazhdojnë me profesionalizmin
- – Deri në këtë moment zgjedhjet po mbahen në atmosferë të qetë dhe demokratike, pa incidente të denoncuara, presione dhe pa agjitime në vendvotime. Kështu e vlerësoi ditën e sotme të zgjedhjeve zëdhënësi i shtabit zgjedhor të VLEN, Driton Sulejmani.
- Post By Fitore Curri
- 17:17, 19 tetor, 2025
Shkup, 19 tetor 2025 (MIA) – Deri në këtë moment zgjedhjet po mbahen në atmosferë të qetë dhe demokratike, pa incidente të denoncuara, presione dhe pa agjitime në vendvotime. Kështu e vlerësoi ditën e sotme të zgjedhjeve zëdhënësi i shtabit zgjedhor të VLEN, Driton Sulejmani.
Sulejmani theksoi se ky është sinjal pozitiv se vendi po hyn në fazë të pjekurisë demokratike ku, siç tha, respektimi i vullnetit të qytetarëve është para së gjithash.
“Koalicioni VLEN vlerëson se procesi zhvillohet normalisht dhe ju bën thirrje institucioneve përgjegjëse të vazhdojnë me profesionalizëm, transparencë dhe paanshmëri gjatë udhëheqjes në ditën e zgjedhjeve”, tha Sulejmani në konferencën e sotme për media.
Ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve të cilët ende nuk kanë votuar, ta realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe ta japin pjesën e tyre në këtë proces demokratik.
“Çdo votë është e rëndësishme. Çdo qytetar ka peshën e tij në marrjen e vendimeve. Të tregojmë sot se dimë si të votojmë në mënyrë paqësore, me dinjitet dhe me përgjegjësi për të ardhmen e komunave tona”, tha Sulejmani. fc/
Foto: MIA