• e mërkurë, 20 nëntor 2024

VLEN: Për një vend anëtar të NATO-s, prania e OSBE-ODIHR-it në zgjedhje shenjë se ka potencial real për parregullsi në procesin zgjedhor

VLEN: Për një vend anëtar të NATO-s, prania e OSBE-ODIHR-it në zgjedhje shenjë se ka potencial real për parregullsi në procesin zgjedhor

Shkup, 16 mars 2024 

Ashtu siç është i njoftuar opinioni, zyra e OSBE-ODIHR-së, për shkak të drojës për parregullsi në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ka vendosur që këtë proces zgjedhor ta mbikëqyrë me 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër. Kujtojmë këtu se për një vend anëtar të NATO-s prania e këtillë e OSBE-ODIHR-it në zgjedhje flet se ky vend ka potencial real për parregullsi në procesin zgjedhor, gjë që flet shumë keq për standardet demokratike të Maqedonisë së Veriut. Sa për krahasim, vlerësime të këtilla për procesin zgjedhor nuk ka pasur që nga vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar.  

Kjo është arsyeja që ta shtrojmë çështjen se cili ka qenë roli i Bujar Osmanit në kryesimin e OSBE-së dhe çfarë informacione e raporte ka dhënë ai që OSBE-ja e vlerëson Maqedoninë e Veriut si vend me demokraci të brishtë? Për fat të keq, në vend se ai ta ndjejë veten përgjegjës për këtë gjendje, ai bën të kundërtën – qahet nga ky raport i OSBE-ODIHR-it, ndërkohë që harron se ai është ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe ai ishte kryesues i OSBE-së gjatë vitit e lamë pas. Nëse kjo gjendje është për t’u qarë, atëherë fajtori e ka emrin pikërisht Bujar Osmani. Sepse ai ka qenë aktori që ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë qasje që e ka OSBE-ja ndaj vendit.  

Prandaj se Bujar Osmani e ka për detyrim të sqarojë se pse është ky vlerësim i OSBE-së dhe, e dyta – po ashtu e rëndësishme – mbi bazën e cilave analiza dhe argumente e kishte vlerësuar Bujar Osmani në vitin 2023 se zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut mund të prodhojnë destabilitet? Kush ia dha këto informacione dhe pse ai nuk i ka ndarë ato në mënyrë transparente me publikun deri më tani? Kjo detyrimisht e shtron pyetjen se a po e përgatit BDI-ja terrenin për të shkaktuar krizë politike paszgjedhore, në mënyrë që qeveria teknike e Talat Xhaferit ta vazhdojë jetën e saj teknike?  

Ndërkaq, pyetja më e rëndësishme është se pse BDI-ja ka kaq shumë frikë nga rezultatet e zgjedhjeve dhe po bën gjithçka për të mos e pranuar humbjen? 

Sidoqoftë, 8 maji është afër dhe gjithë kjo do merret vesh sapo të njoftohet rezultati zgjedhor. Kësaj radhe ia VLEN të presim. 

Koalicioni VLEN

___________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR