"Vlen" edhe zyrtarisht do të veprojë si një subjekt i vetëm politik
- Koalicioni "Vlen" paralajmëroi moratorium për të gjitha aktivitetet politike publike të partive që e përbëjnë dhe njoftoi se që tani e tutje do të veprojë si një subjekt i vetëm politik.
- Post By Melahat Baftija
- 20:29, 29 prill, 2025

Shkup, 29 prill 2025 (MIA) - Koalicioni "Vlen" paralajmëroi moratorium për të gjitha aktivitetet politike publike të partive që e përbëjnë dhe njoftoi se që tani e tutje do të veprojë si një subjekt i vetëm politik.
Kryesia, e cila sonte e mbajti mbledhjen e saj të parë, është organi i parë i përbashkët i Vlen.
Siç deklaroi lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, organet e tjera udhëheqëse do të konstituohen në mbledhjet e ardhshme të Vlenit.
"Krysia e Vlenit është organi i parë i përbashkët i Vlenit. Që tani e tutje, Vlen paralajmëron moratorium të aktiviteteve politike publike të partive që e përbëjnë dhe që tani e tutje, gjithçka do të jetë nën emrin dhe logon e Vlen. Në takimet e ardhshme, Vlen do t'i konstituojë edhe organet e tjera udhëheqëse, siç janë shtabet qendrore dhe lokale zgjedhore", theksoi Kasami.
Ai përmendi gjithashtu se grupi parlamentar i Vlenit do të vazhdojë me deputetët që e mbështesin atë.
Takimi i parë i kryesisë së Vlenit u mbajt në ambientet e "Alternativës" në Shkup dhe në të morën pjesë, përveç Kasamit, Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike, Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa dhe deputeti i pavarur nga Vetëvendosja Bekim Qoku.
Para takimit, Mexhiti tha edhe një herë se Qeveria është e qëndrueshme dhe se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai shtoi se përgatitjet për zgjedhjet lokale në tetor po vijojnë intensivisht, në të cilat Vlen, krahas kandidatëve të partisë, do të kandidojë edhe me kandidatë të pavarur për këshilltarë ose kryetarë komune, qytetarë që janë profesionistë në fushën e tyre. mb/
Foto dhe video: MIA