• e premte, 21 shkurt 2025

"VLEN": Dauti e luan rolin e viktimës, nëse nuk është e aftë ta udhëheq Komisionin, le të japë dorëheqje edhe nga Kuvendi

Shkup, 16 janar 2025 (MIA) - Me dorëheqjen që e dha, Ilire Dauti e luan rolin e viktimës. Vet u shkarkua, për t'u viktimizuar pasi ky është roli i vetëm që din më së miri ta luajë. Por, kjo nuk mund ta shpëtojë nga pendimi që tentuan ta ndihmojnë bllokimin e Ligjit të branitellave, vlerësoi pasdite grupi parlamentar i "VLEN"-it.

Siç tha Imerlije Saliu-Fetai nga VLEN në konferencë për shtyp, nëse Dauti nuk është e aftë dhe nuk ka potencial ta udhëheq Komisionin për politikë sociale, demografi dhe rini, më së miri është të japë dorëheqje edhe nga Kuvendi.

"Dorëheqja është pranim i dobësisë dhe tregues i papërgjegjësisë. Sot, Ilire Dautit, e njohur në klubin e saj si zonjë e hekurt, i doli ndryshku së bashku me të gjithë Frontin Evropian, duke pranuar dorëheqjen, ata u penduan se ndihmuan bllokimin e Ligjit për branitellat. Edhe pse barrën kryesore për këtë bllokadë e mbajti i pari i Kuvendit, Afrim Gashi, duke marrë edhe padi penale nga e Majta për vendosmërinë e treguar në bllokimin e këtij ligji të përgjysmuar të propozuar nga partneri opozitar i BDI-së, LSDM-ja e copëtuar. Ata vendosën ta lënë vet VLEN-in dhe Afrim Gashin në këtë betejë. Por, kjo nuk prish fare punë sepse ashtu siç e kemi filluar veçmas këtë betejë, ngjashëm do ta vazhdojmë", tha Saliu-Fetai.

Sipas saj, shqiptarëve nuk u duhen deputetët që nuk kanë guxim, e mjet shpëtimi e kanë dorëheqjen.

"Mbase, në BDI apo Reçicë të Vogël ky veprim i yti do të shpërblehet sepse i përshtatet pikërisht politikave të kësaj partie non grata. Frikacakë, të papërgjegjshëm, gënjeshtarë, viktima fallco e të paturpshëm. Derisa ju vet shkarkoheni, do t’ia lehtësoni popullit punën në zgjedhjet e ardhshme që t'u çrrënjos tërësisht nga skena publike! VLEN do të vazhdojë me dinjitet, përgjegjësi e profesionalizëm në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve", theksoi Saliu-Fetai.

Ajo përkujtoi se grupi parlamentar i VLEN-it votoi kundër interpelancës së Ilire Dautit.

Dauti sot dha dorëheqje nga funksioni kryetare e Komisionit të Kuvendit për politikë sociale, demografi dhe rini, ndërsa Kuvendi e konstatoi dorëheqjen. Paraprakisht, të premten, deputetët e kanë votuar interpelancën e Dautit që e ka parashtruar E Majta. Për interpelancën votuan VMRO-DPMNE dhe ZNAM, partitë shqiptare ishin kundër, ndërsa deputetët e LSDM-së e kanë braktisur seancën. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR