VLEN: Besimi dhe qeverisja e mirë janë themeli i sigurisë dhe stabilitetit në rajon
- Koalicioni VLEN vlerëson lart angazhimin dhe vizionin e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, në Konferencën Rajonale të Sigurisë “WB–EU: Shared Security, Shared Future”, e cila u mbajt në Shkup me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverive të rajonit, të Bashkimit Evropian, Italisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
- Post By Ramize Qamili
- 10:03, 12 nëntor, 2025
Shkup, 12 nëntor 2025 (MIA) - Koalicioni VLEN vlerëson lart angazhimin dhe vizionin e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, në Konferencën Rajonale të Sigurisë “WB–EU: Shared Security, Shared Future”, e cila u mbajt në Shkup me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverive të rajonit, të Bashkimit Evropian, Italisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, zëvendëskryeministri Fetai paraqiti qartë filozofinë e qeverisjes së re se siguria nuk ndërtohet mbi frikë, por mbi besim, integritet dhe institucione të forta. Kjo është edhe rruga për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm, demokratik dhe të aftë për t’u përballur me sfidat moderne të kohës.
Për VLEN-in vizioni i qeverisjes së mirë, i bazuar në transparencë, përgjegjësi dhe sundim të ligjit, është thelbi i politikës që sjell stabilitet afatgjatë. Reforma e shtetit dhe reforma e sigurisë ecin krah për krah dhe vetëm përmes institucioneve të besueshme mund të garantohet zhvillimi ekonomik, stabiliteti politik dhe besimi qytetar.
Bashkëpunimi rajonal dhe partneriteti me Bashkimin Evropian janë pjesë e pandashme e kësaj qasjeje, e cila synon ndërtimin e një kulture të re sigurie më bashkëpunuese, më moderne dhe më evropiane.
Ky vizion i artikuluar nga zëvendëskryeministri Fetai është dëshmi e qartë se qeverisja e re është e vendosur ta forcojë shtetin përmes besimit dhe ta afrojë vendin drejt standardeve evropiane të stabilitetit, transparencës dhe mirëqeverisjes.
Koalicioni VLEN
____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
Foto: VLEN