• e diel, 22 dhjetor 2024

Vjosa Osmani: Nuk ka autonomi për komunat serbe, nuk do të lejoja shkelje të Kushtetutës

Vjosa Osmani: Nuk ka autonomi për komunat serbe, nuk do të lejoja shkelje të Kushtetutës

Prishtinë, 7 prill 2023 (MIA)- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk ka autonomi për komunat serbe dhe se nga pozita e presidentes së shtetit nuk do të lejojë që të shkelet Kushtetuta.

Osmani për mediat e Prishtinës deklaroi se Kosova tashmë ka garanci se Kushtetuta nuk do të shkelet, transmeton Beta.

"Nuk ka autonomi. Çdo gjë që mund të dalë nga Kushtetuta e Kosovës duhet të ratifikohet në Parlament që në fund të vendosin deputetët për një gjë të tillë. Por unë si presidente nuk do të lejoja kurrë që kjo të bëhet jashtë Kushtetutës, apo edhe përkundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e cila definon parametrat sa i përket të drejtave të serbëve dhe organizimit të tyre në Kosovë", tha Osmani, transmeton “Kosova onlajn”.

Ajo shtoi se delegacioni i Kosovës është duke punuar në përcaktimin e detajeve lidhur me nenin 7 të marrëveshjes së arritur në dialog dhe se e gjithë kjo bazohet në parimet që tashmë janë vendosur.

Parimi i parë, siç tha ajo, është Kushtetuta e Kosovës, kështu që “autonomia nuk mund të jetë jashtë Kushtetutës”, ndërsa si parim të dytë ajo ka përmendur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe parimet e tjera të vendosura nga Kuvendi që sipas saj, "i referohet ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit të vendit dhe funksionalitetit të brendshëm të njohur si parimi i unitaritetit".

"Më duhet të përmend edhe qëndrimin amerikan i cili përcaktohet në formë të shkruar dhe që ndër të tjera është një parim udhëzues shtesë në hapat përpara. Vendi ynë ka garanci se nuk do të shkelet Kushtetuta dhe ne do t'i përdorim të gjitha ato garanci për të mbrojtur interesin e shtetit", theksoi Osmani. qa/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR