• e hënë, 23 dhjetor 2024

Vjosa Osmani fjalimin e saj vjetor para Kuvendit të Kosovës e filloi me sulmin në Banjskë

Vjosa Osmani fjalimin e saj vjetor para Kuvendit të Kosovës e filloi me sulmin në Banjskë

Prishtinë, 15 dhjetor 2023 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit e filloi me sulmin e ndodhur me 24 shtator në Banjskë në veri të Kosovës, gjatë të cilit mbeti i vrarë një pjesëtari i policisë së Kosovës, njofton korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.

Osmani tha se atë ditë Kosova është përballur me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj në vitin 2008.

Për sulmin, në të cilin, përveç policit Afrim Bunjaku, jetën humbën dhe tre nga sulmuesit, presidentja e Kosovës fajësoi kreun shtetëror serb, për të cilin tha se qëllimi përfundimtar ishte aneksimi i pjesës veriore të Kosovës dhe destabilizimi i të gjithë rajonit.

"Një vit i përballjes mee vështirësi, veçanërisht në fushën e sigurisë, pasi me 24 shtator Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj. Një grup terrorist paramilitar i financuar, trajnuar dhe mbështetur nga Serbia dhe mbi të gjitha i udhëhequr nga kreu i atij vendi, kreu një plan agresioni me plan të qartë për të aneksuar veriun e Kosovës dhe për të shkaktuar destabilizim jo vetëm në vendin tonë, por dhe në të gjithë rajonin. Atë ditë Kosova u përball me një agresion tinëzar në veprim, por i dukshëm në ambiciet e tij, me synim të qartë për ta shkatërruar themelin e Republikës sonë, për të cilën u sakrifikuan shumë breza", tha Osmani.

Ajo porositi se "plani keqdashës për destabilizimin e Kosovës dhe rajonin ka marrë përgjigjen e merituar".

"Ky sulm i cili ishtë nën udhëheqjen e ideve dhe planeve shoviniste dhe hegjemoniste serbe ka nxjerrë edhe një herë fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndrra e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të 'botës serbe'. Në këtë kohë kur siguria sfidohet në mënyrë drastike në kontinentin tonë, plani keqdashës për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit ka marrë përgjigjen e merituar", tha Osmani.

Ajo u dha mirënjohje pjesëtarëve të policisë së Kosovës për përballjen me sukses të sfidës së madhe të 24 shtatorit dhe ka thënë se “Kosova do t'i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”.

"Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem dhe vajza nga radhët e policisë të cilët në të njëjtën ditë dhanë një mesazh të qartë: Kosova nuk do të tërhiqet, Kosova nuk do të thyhet dhe Kosova do t'i mbrojë kufijtë e saj në secilin cep dhe me çdo kusht", tha në fjalimin e saj presidentja Osmani. rq/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR