• e premte, 21 shkurt 2025

Vitin e kaluar u rrit numri i të sëmurëve nga zgjebja në krahasim me vitin 2023

Vitin e kaluar u rrit numri i të sëmurëve nga zgjebja në krahasim me vitin 2023

Shkup, 18 shkurt 2025 (MIA) - Në janar të këtij viti janë regjistruar 28 raste të zgjebes nga të cilat 16 në Shkup. Të njejtat nuk ishin të lidhur me njëri-tjetrin, përkatësisht sëmundja nuk është paraqitur në formë epidemike. Të dhënat e Institutit për Shëndet Publik të publikuara sot tregojnë se vitin e kaluar është vërejtur rritje e numrit të personave me zgjebe, përkatësisht janë evidentuar 493 persona për dalllim nga viti 2023 kur kishte 337 persona të sëmurë. Numri më i madh i të sëmurëve vitin e kaluar janë regjistruar në Shkup-182, Kumanovë-108 dhe Gostivar-101.

Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2023, më së shumti të infektuar ka pasur në vitin 2015 kur janë evidentuar 527 persona, ndërsa më pak në vitin 2021 kur kishte 151 persona të sëmurë nga zgjebja.

"Zgjebja është një infeksion parazitar i shkaktuar nga një parazit i vogël, i njohur si "sarcoptes scabiei var hominis". Ky parazit depërton në shtresën e sipërme të lëkurës, ku shumohet, duke shkaktuar një skuqje të fortë dhe kruajtje të padurueshme. Por zgjebja nuk është vetëm një shqetësim - ajo mund të çojë në komplikime serioze si infeksione bakteriale të lëkurës, sepsë, madje edhe sëmundje të zemrës dhe veshkave", theksojnë nga ISHP.

Në nivel global, mbi 200 milionë njerëz vuajnë nga zgjebja në cilindo moment. Në rajonet më të varfëra tropikale, përqindja e të sëmurëve te fëmijët lëviz nga pesë në 50 për qind. Zgjebja më së shpeshti paraqitet në bashkësi me popullatë të dendur ku kushtet higjienike janë joadekuate.

Zgjebja transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë të ngushtë fizik lëkurë me lëkurë me një person të infektuar - duke jetuar së bashku, duke fjetur së bashku, shumë shpesh gjatë udhëtimeve në kamping dhe midis njerëzve që jetojnë në kushte të këqija higjienike.

Nga Instituti paralajmërojnë se zgjebja përveç shqetësimit të kruajtjes mund të shkaktojë komplikime serioze.

Rekomandohet të shmangni kontaktin me personat e infektuar, veçanërisht nëse ata kanë kruajtje ose skuqje. Nëse dikush në familje ka zgjebe, trajtoni të gjithë anëtarët e familjes edhe nëse nuk kanë simptoma. Shtrati, veshjet dhe sendet personale duhet të lahen në ujë të nxehtë dhe të thahen në nxehtësi të lartë ose në diell. Pastrimi i dhomave është i dobishëm, veçanërisht nëse ka njerëz të infektuar. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR