• e hënë, 23 dhjetor 2024

Vezët dhe orizi me çmim të fiksuar deri më 30 prill

Vezët dhe orizi me çmim të fiksuar deri më 30 prill

Shkup, 21 mars 2023 (MIA) - Qeveria sot e fiksoi çmimin e vezëve dhe të orizit dhe e kufizoi eksportin e vezëve. Çmimet më të larta të orizit dhe vezëve do të mbeten në nivelin nga 15 i këtij muaji dhe do të vlejnë deri më datën 30 të muajit të ardhshëm. Me vendimin e Qeverisë së paku 70 për qind e prodhimit vendor të vezëve duhet të plasohet në tregun vendor, ndërsa tregtarët me pakicë janë të obliguar të vazhdojnë të furnizojnë sipas sasive të zakonshme që kanë furnizuar në janar dhe shkurt të këtij viti.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën për shtyp tha se gjatë periudhës së kaluar është përcaktuar rritje e konsiderueshme e çmimeve të orizit dhe vezëve, si rezultat i lëvizjeve lidhur me eksportin dhe importin e këtyre produkteve.

"Për këtë qëllim, ndërsa në vigjilje të festave të Pashkëve dhe Bajramit, me qëllim që të parandalohet një disbalancë eventuale në tregun vendor dhe mungesë e vezëve të pulës, prodhuesit, së paku 70 për qind të prodhimit vendor të vezëve do ta plasojnë në tregun vendor, ndërsa tregtarët me pakicë të vazhdojnë ta furnizojnë sasinë e zakonshme të vezëve që e kanë furnizuar në janar dhe shkurt 2023", tha Kovaçevski në konferencën për shtyp pas seancës së Qeverisë.

Këto masa, tha nuk i marrim sipas dëshirave tona, por janë të bazuara në fakte të argumentuara dhe analiza, të cilat janë realizuar gjatë periudhës së kaluar.

Kovaçevski porositi se do të vazhdojnë t'i ndjekin ngjarjet në tregjet vendore dhe botërore dhe se në mënyrë përkatëse do të reagojnë me mekanizmat qeveritarë.

Qëllimi, potencoi, është të mos lejojmë disbalancë në tregun vendor, gjë që do të reflektohej edhe mbi buxhetin familjar të qytetarëve.

Fiksimi i çmimit të vezëve dhe orizit, përkujtoi kryeministri, është vazhdim i masave me të cilat u fiksuan çmimet e bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, e një pjese të makaronave dhe një pjese të produkteve të qumështit. Edhe këto vendime, sikurse vendimi i sotëm, potencoi, janë marrë në bazë të analizave të bëra paraprake, ndërsa që janë në drejtim të mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe mbrojtjes së tregut vendor nga çregullime lidhur me ofertën dhe kërkesën.

Siç potencoi Kovaçevski, Qeveria vazhdon me trendin që t'u dalë në ndihmë nevojave të qytetarëve, me qëllim të përballjes sa më të lehtë me pasojat e krizës aktuale botërore ekonomike dhe energjetike. Do të veprojnë, paralajmëroi, në pajtim me nevojat dhe ineteresat e qytetarëve.

"Nuk do të lejojmë përfitim personal në kurriz të qytetarëve. Prandaj i sjellim të gjitha këto masa, që t'ua lehtësojmë qytetarëve dhe ta përmirësojmë cilësinë e jetesë së të gjithëve", tha Kovaçevski.

Nga 16 marsi janë fiksuar çmimet e makaronave dhe produkteve të qumështit, ndërsa nga 28 shkurti është fiksuar çmimi i bukës. Atëherë u pezulluan edhe subvencionet për energji elektrike që i kanë fituar kompanitë e industrisë ushqimore.

QËNDRONI TË LIDHUR