• e premte, 22 nëntor 2024

Venera Latifi Azizi dhe Marija Miteva zëdhënëse të Qeverisë

Venera Latifi Azizi dhe Marija Miteva zëdhënëse të Qeverisë

Shkup, 8 tetor 2024 (MIA) - Venera Latifi Azizi është zëdhënëse e re Qeverisë. Këtë post do ta ushtrojë edhe Marija Miteva që vjen nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Që të dyja u zgjodhën në seancën e sotme të qeverisë. Naum Stoillkovski, nga ana tjetër, është emëruar këshilltar për komunikim dhe marrëdhënie me publikun, përgjegjës për koordinimin e zëdhënësve.

Përzgjedhjen e zëdhënësve të qeverisë në emisionin “100 ditë Qeveri” në RTVM e paralajmëroi mbrëmë kryeministri Hristian Mickoski.

Venera Latifi Azizi është ish redaktore dhe gazetare në Radio Evropa e Lirë në Pragë, ish redaktore në agjencinë e lajmeve MIA, ish redaktore dhe prezantuese në Televizionin Alsat- M, ish redaktore në gazetën KOHA, Televizionin A1 dhe media të tjera në vend. Aktualisht e punësuar në Zyrën e kryetarit të Komunës së Çairit si person përgjegjës për marrëdhënie me publikun dhe mbështetje të kryetarit të komunës. Ajo është politologe e diplomuar në Universitetin e Evropës Juglindore. Aktualisht ndjek magjistraturën në diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare në temë "Roli i misioneve diplomatike dhe integrimeve euroatlantike të Maqedonisë së Veriut". E martuar, nënë e dy fëmijëve.

Nga ana tjetër, Marija Miteva deri tani ka ushtruar pozitën e zëdhënëses së VMRO-DPMNE-së. Me profesion është juriste e diplomuar në Universitetin "Sh. Cirili dhe Metodi" me magjistraturë në të drejtën e biznesit dhe ka dhënë provimin e jurisprudencës.

"Në nivel profesional, Miteva ka përvojë të pasur në sferën juridike dhe atë politike, me më shumë se 10 vjet përvojë pune. Historia e saj profesionale përfshin pozitat si këshilltare për çështje juridike në Qeveri, si dhe këshilltare për çështje normative në Qytetin e Shkupit. Vitet e fundit ajo është angazhuar aktivisht në politikë, gjë që rezultoi me zgjedhjen e saj si deputete, ku u përfshi në krijimin dhe rishikimin e ligjeve dhe vendimeve të rëndësishme politike që ndikojnë në të ardhmen e vendit", informojnë nga Qeveria.

Në sferën e arsimit joformal, siç qëndron në komunikatën e Qeverisë, Miteva ka edukime të shumta shtesë, si trajnime që përfshijnë planifikimin e projekteve për projekte të BE-së, menaxhim me cilësinë në institucionet publike, barazi gjinore dhe edukim mediatik.

Ndryshe, Naum Stoillkovski është gazetar i diplomuar në Fakultetin juridik "Justiniani i parë" në Universitetin "Sh. Cirili dhe Metodi” në Shkup.

Foto: Qeveria

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR