• e enjte, 04 dhjetor 2025

Vendoset gurthemeli për ndërtimin e autostradës Tetovë-Gostivar

Vendoset gurthemeli për ndërtimin e autostradës Tetovë-Gostivar

Gostivar, 3 maj 2025 (MIA) -Është vendosur sot gurthemeli për ndërtimin e autostradës Tetovë- Gostivar me gjatësi prej 18 kilometrash, ndërsa pritet të përfundojë në vitin 2027. Projekti kap vlerën prej 90 milionë eurosh.

Projekti për ndërtimin e autostradës Tetovë-Gostivar përfshin edhe nëntë mbikalime nga të cilat - 8 mbikalime për lidhjen e rrugëve lokale me rrugën paralele të projektuar, një mbikalim për segmentin rrugor në Komunën e Bogovinës dhe Komunën e Vrapçishtit, ndërsa për rikonstruimin e segmentit për dalje nga Tetova do të përdoret mbikalimi ekzistues.

Në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e autostradës, mes tjerash ka marrë pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski.

"Si një vend që për fat të keq nuk ka dalje në det, shqyrtojmë atë se cili do të ishte avantazhi i Maqedonisë në rajon, por dhe më gjerë. Duke vepruar kësisoj, arritëm në një përfundim të rëndësishëm e ajo është se si shtet, jemi ndoshta të vetmit që kemi potencialin të jemi pjesë e tre korridoreve panevropiane. I pari është ky, pra Korridori 8 që lidh Detin Jon dhe Detin Adriatik me Detin e Zi, i dyti është Korridori 10 që lidh Mesdheun me Evropën Qendrore në këtë pjesë të Evropës dhe Korridori 11 që kalon nëpër fqiun tonë lindor. Me një pjesë që lidh korridoret 10 dhe 11 bëhemi vend që do të lidhë drejtpërdrejt të gjitha portet në këtë pjesë të Evropës dhe do të jemi një hallkë e rëndësishme në krahun jugor të aleancës më të madhe të njerëzimit, ajo është Aleanca e NATO-s", ka thënë Mickoski.

Sipas tij, dashuria për atdheun tregohet me vepra, me ndërtim dhe zhvillim.

"Sepse kur ndërtoni rrugë, bulevarde, sisteme uji, sisteme kanalizimesh, shkolla dhe kopshte... ju ndërtoni të ardhmen. Ne sot po ndërtojmë të ardhmen, nuk flasim për të kaluarën, nuk jemi robër të saj", theksoi kryeministri Mickoski.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, duke iu drejtuar të pranishmëve, theksoi se për dy vjet e gjysmë vendi do të ketë rrugë sipas gjitha rregullave dhe standardeve.

"Në qershor të vitit 2024 kur u formua kjo Qeveri u shpronësuan gjithsej 560 parcela në tre seksionet, sot në prill të vitit 2025 janë shpronësuar 2,497 në të tre seksionet. Kjo do të thotë se po hapim një front për punime në segmentin rrugor Gostivar-Tetovë prej 17,5 kilometra, pastaj Gostivar-Bukojçan prej 14,7 kilometra dhe rrugën Prilep-Manastir prej 29 kilometra", tha Nikolloski.

Ai shtoi se sipas planit do të punohet aktivisht në ndërtimin e autostradave në kuadër të korridoreve 8 dhe 10 në gjatësi prej 65 deri në 68 kilometra.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti theksoi se si qeveri në këtë mënyrë ndërtojnë të ardhmen dhe krijojnë kushte më të mira për të gjithë qytetarët.

"Po ndërtojmë rrugë për popullin tanë. Korridori 8 është më shumë se një rrugë. Është arterie evropiane që lidh Adriatikun me Detin e Zi, lidh zemrën e Ballkanit. Vendimi ynë strategjik është i qartë: Maqedonia përfundon seksionin e saj dhe e sjell Evropën në Ballkan, dhe Ballkanin në Evropë. Me fillimin e kësaj autostrade, ne po shndërrojmë rajonin e Pollogut në udhëkryq të mundësive dhe investimeve, vendeve të punës, po shkurtojmë rrugën midis Shkupit, Ohrit dhe Strugës dhe po afrojmë kufirin në Qafë Thanë me çdo shtëpi tonën dhe çdo ide biznesi që pret treg", ka thënë Mexhiti.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski tha se segmenti Tetovë - Gostivar do të jetë me gjatësi 17,5 kilometra dhe do të kushtojë 90 milionë euro. Tha se do të ketë dy korsi në një drejtim dhe një korsi për ndalesë.

Sipas tij, marrëveshja është nënshkruar në mars të vitit 2023, derisa në korrik të vitit 2024 trashëguan vetëm dy tabela informuese dhe asgjë më shumë, dhe tani siç shton ai, "tashmë mund të shihet përparim".

Në ceremoninë e hapjes së gurthemelit fjalë rasti kanë pasur edhe ambasadorja e SHBA-së në vend, Anxhela Ageler dhe përfaqësuesi i kompanisë Behtel dhe Enka dhe përgjegjës i projektit, Xhosh Bejker.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR