• e hënë, 23 dhjetor 2024

Vendoset gurthemeli për aksin e austradës Prilep-Manastir në Korridorin 10d

Vendoset gurthemeli për aksin e austradës Prilep-Manastir në Korridorin 10d

Shkup, 12 maj 2023 (MIA) - Sot në Prilep do të vihet gurthemeli për autostradën Prilep - Manastir në Korridorin 10d, një nga katër seksionet e planifikuara për ndërtim sipas Marrëveshjes me konsorciumin amerikano-turk "Behtel dhe Enka". Për tre seksionet e tjera të autostradës së Korridorit 8, ceremonia u mbajt muajin e kaluar.

Në Komisionin kuvendor për çështje evropiane dje filloi debati për amendamentet e pesë ligjeve lidhur me ndërtimin e korridoreve, që i propozoi Qeveria me procedurë të shkurtuar me flamur evropian, me arsyetimin se do të lehtësojnë procedurat për ndërtim më të lirë dhe më shpejtë.

Miratimi i ligjeve me flamur evropian është ende objekt i debatit publik dhe deputetët e opozitës kritikojnë se ato ligje nuk janë në përputhje me legjislacionin evropian.

Kritikat për këtë i ka komentuar dje kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili thotë se ligjet për korridoret kanë flamur evropian sepse bëhet fjalë për ndërtimin e korridoreve strategjike dhe se do të mundësojnë ndërtim më të shpejtë dhe më të lirë.

"Fjala është për dy korridore jashtëzakonisht të rëndësishme, por edhe për projekte të tjera strategjike investimi që po bëhen apo do të bëhen në vend, në fushën e infrastrukturës rrugore, hekurudhore apo energjetike. Qeveria ka dorëzuar pesë amendamente të ligjeve, përkatësisht rregullime, për të mundësuar ndërtim më të shpejtë dhe më efikas, por edhe ndërtim me strukturë financiare më të ulët se sa është me rregulloren e përhershme", tha Kovaçevski gjatë vizitës në Shtip.

Ambasadori evropian Dejvid Gir ka ripërsëritur dje qëndrimin se përdorimi i flamurit evropian duhet të bëhet gjithmonë pas një konsultimi real paraprak ndërmjet të gjitha partive politike dhe është për harmonizimin e legjislacionit evropian.

Thënë kështu, shumë shpesh flamuri evropian përdoret për ligje për të cilat nuk është menduar.

"Natyrisht, ne kemi kontakte të rregullta me Qeverinë për këtë çështje, por edhe një sërë çështjesh të tjera dhe jemi gjithmonë të gatshëm të dëgjojmë se çfarë ka për të thënë Qeveria lidhur me këtë dhe çështje të tjera që na shqetësojnë të gjithëve. Dhe sa i përket vetë opozitës, ne jemi në dialog të rregullt me ​​ta për çështjet që ata ngrenë", tha Gir.

Paraprakisht, kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski njoftoi se do t'u dërgojnë një letër institucioneve evropiane ku do të tregojnë keqpërdorimin e flamurit evropian.

Në Komisionin për çështje evropiane filloi hetimi pas amendamenteve të dorëzuara nga VMRO-DPMNE-ja opozitare për propozim-amendamentet e ligjit për marrëdhënie pune, me të cilat definohet puna jashtë orarit gjatë angazhimit në ndërtimin e autostradave. Pakoja e ndryshimeve ligjore për korridoret përfshin ndryshimet në ligjet për përcaktimin e interesit publik dhe emërimin e partnerit strategjik për realizimin e projektit për ndërtimin e infrastrukturës së Korridorit 8 (seksioni: Tetovë - Gostivar - Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë - Strugë - Qafëthanë) dhe Korridori 10d (pjesa e autostradës Prilep- Manastir), për urbanistikë, për ndërtim, për shpronësim. Ato ligje paraprakisht janë propozuar nga një grup deputetësh dhe pas bllokadës në komisione nga deputetët e opozitës janë propozuar sërish javën e kaluar, kësaj radhe me propozim të Qeverisë me flamur evropian dhe pardje Kuvendi  miratoi nevojën për miratimin e tyre pas një procedure të shkurtuar. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR