Vendimi përfundimtar për nenet e kontestuara të Ligjit për komunikime elektronike në seancë të Gjykatës Kushtetuese
- Gjykata Kushtetuese sot duhet të nxjerrë një vendim përfundimtar për rastin që ka të bëjë me nenet 176, 177 dhe 178 të Ligjit për komunikime elektronike, të cilat mundësojnë ruajtjen dhe qasjen në të dhënat për komunikim elektronik pa vendim gjykate, dhe për të cilat parashtruesit e nismës pretendojnë se nuk sigurojnë garanci të mjaftueshme kundër keqpërdorimit dhe krijojnë rrezik nga mbikëqyrja e pakufizuar e qytetarëve. Gjykata më parë i dha Kuvendit një afat gjashtëmujor për të harmonizuar dispozitat ligjore me parimet kushtetuese.
Shkup, 9 korrik 2025 (MIA) - Gjykata Kushtetuese sot duhet të nxjerrë një vendim përfundimtar për rastin që ka të bëjë me nenet 176, 177 dhe 178 të Ligjit për komunikime elektronike, të cilat mundësojnë ruajtjen dhe qasjen në të dhënat për komunikim elektronik pa vendim gjykate, dhe për të cilat parashtruesit e nismës pretendojnë se nuk sigurojnë garanci të mjaftueshme kundër keqpërdorimit dhe krijojnë rrezik nga mbikëqyrja e pakufizuar e qytetarëve. Gjykata më parë i dha Kuvendit një afat gjashtëmujor për të harmonizuar dispozitat ligjore me parimet kushtetuese.
Sipas nismës, Ligji për Komunikime Elektronike përcakton një detyrim për operatorët e telekomunikacionit për të ruajtur të dhënat për komunikimet elektronike të të gjithë parapaguesve për një periudhë prej 12 muajsh, pa një vendim gjykate për këtë, ndërsa neni 176 paragrafi 3 i të njëjtit ligj përcakton që operatorët janë të detyruar që të dhënat e ruajtura për komunikimet elektronike të parapaguesve me kërkesë tua dorëzojnë autoriteteve kompetente sipas kushteve dhe procedurës së përcaktuar me ligj, me ç'rast kjo dispozitë e Ligjit nuk parashikon ekzistencën e një vendimi gjykate për të dhënat e ruajtura në këtë mënyrë, prandaj nenet 176 dhe 178 të Ligjit për Komunikime Elektronike nuk janë në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës.
Përveç këtij vendimi, në rendin e ditës të seancës së sotme të Gjykatës Kushtetuese janë edhe tetë nisma për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë që lidhen me punësimin pa shpallje publike në arsim, seminare të detyrueshme për kontabilistët të organizuara nga konsulentë privatë, kufizimin e kompensimit të pagës në sigurimin shëndetësor, transferimin e mjeteve nga fondi i solidaritetit te pensionistët, kufirin e moshës për kryerjen e funksioneve noteriale, dispozitat e Ligjit për Ndërtim me veprim kthyes, dekretin për denacionalizimin dhe të drejtën për provë të pronësisë, një plan urbanistik të detajuar në Kërçovë i cili, sipas parashtruesit, e privon atë nga qasja në shtëpinë e tij.
Tre kërkesat për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave u paraqitën nga Angelço Buzliev, i cili pretendon se është diskriminuar për shkak të përkatësisë shoqërore në procedurat gjyqësore që lidhen me sekuestrimin e pronës, pastaj O.M., i cili kërkon mbrojtje të së drejtës për një gjykim të drejtë, duke pretenduar se është dënuar në bazë të dëshmive kontradiktore, dhe një kërkesë e paraqitur përmes Avokatit të Popullit, e cila tregon për diskriminim sistematik të komunitetit turk në autoritetin ekzekutiv, ku nuk ka asnjë përfaqësues në një pozicion të lartë. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s