• e hënë, 23 dhjetor 2024

Vendet e lira në shëndetësi do të plotësohen pa pëlqimin e Ministrisë së Financave, paralajmëroi Mexhiti

Vendet e lira në shëndetësi do të plotësohen pa pëlqimin e Ministrisë së Financave, paralajmëroi Mexhiti

Shkup, 1 gusht 2023 (MIA) - Vendet e lira në shëndetësi do të plotësohen pa pëlqimin e Ministrisë së Financave, paralajmëroi ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti në konferencën e sotme për shtyp.

"Nuk e kam pasur të qartë se përse duhet gjithmonë pëlqimi i Ministrisë së Financave për punësim në shëndetësi. Dikush do të dalë në pension, një tjetër do të largohet nga vendi ose do të transferohet në një klinikë tjetër, pse nuk mund të plotësohen ato pozicione automatikisht? Ne kemi vendosur tashmë me ministrin e Financave, ka pasur mirëkuptim dhe me iniciativën e tyre, që Ministria e Financave të mos vendosë më për raste të tilla. Vetë institucionet tashmë duhet të kenë përgjegjësi ligjore dhe Ministria e Shëndetësisë të konfirmojë pa kërkuar miratim në financa. Nëse një buxhet i tillë është rezervuar në të gjitha klinikat shëndetësore, atëherë nuk ka nevojë të kërkohet nga sektori i financave", sqaroi Mexhiti.

I shkurtuam, theksoi ai, këto ngatërresa procedurale, administrative.

"Na marrin shumë kohë dhe nuk janë të dobishme për ne. Kërkoj që ajo që duhet bërë në shëndetësi të jetë më e mirë dhe më e relaksuar dhe t'i thjeshtësojmë tashmë këto procedura", nënvizoi ministri.

Në pyetjen e një gazetari për problemet e theksuara në lidhje me faktin se në një institucion publik shëndetësor nuk ka termin për operacion në mëngjes, por në të njëjtin institucion shëndetësor, nëse pacienti paguan privatisht, mund të kryhet një operacion, ministri tha të raportojë se për cilën klinikë bëhet fjalë, ndërsa ai menjëherë do të dërgojë inspekcion.

Ai tha se të gjithë mund të gabojmë, por duhet të përpiqemi që gabimet të jenë minimale. Qëllimi i Ministrisë, siç theksoi ai, është që të minimizohen lëshimet.

Mexhiti urdhëroi institucionet kompetente që të veprojnë sipas ligjit lidhur me pretendimet për keqpërdorim të të dhënave të pacientëve në Tetovë.

"Në Tetovë tashmë është aktuale që disa të dhëna të pacientëve janë keqpërdorur. Rasti është në Prokurori, inkurajojmë të gjithë sistemin ligjor dhe Prokurorinë dhe të gjitha gjykatat që të veprojnë ashtu siç e kërkon ligji, theksoi ministri, duke shtuar se janë në dispozicion të tyre për të gjitha informacionet. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR