Vazhdon protesta e organizuar nga AOJSHQ, 988 të punësuar nuk e kanë marrë pagën e dhjetor
- Të punësuarit në një pjesë të institucioneve shtetërore sot vazhduan me protestë paralajmëruese gjysmëorëshe duke kërkuar shtesa në rrogë prej 30 për qind dhe nënshkrim të marrëveshjeve kolektive.
- Post By Sara Ademi
- 11:58, 16 janar, 2025

Shkup, 16 janar 2025 (MIA) - Të punësuarit në një pjesë të institucioneve shtetërore sot vazhduan me protestë paralajmëruese gjysmëorëshe duke kërkuar shtesa në rrogë prej 30 për qind dhe nënshkrim të marrëveshjeve kolektive.
Kryetari i Sindikatës së AOJSHQ, Trpe Deanovski para Entit Shtetëror për Statistikë tha se 988 të punësuar ende nuk e kanë marrë pagën e dhjetorit edhe pse ka skaduar afati ligjor.
"Bëhet fjalë për të punësuarit në të gjitha inspektoratet në shtet. Për shkak të vonimit të Ministrisë së Financave të cilët në kohë nuk i kanë ndërmarrë obligimet sipas ndryshimeve ligjore ka lënë 988 të punësuar pa pagë, pa kredi të kthyera, pa fatura të paguara në muajin më të gjatë të vitit. Dje skadoi edhe afati ligjor për pagesën e pagës e cila paguhet më së voni deri në datën 15-të të muajit dhe ende nuk ka informata kur dhe nëse këta të punësuar do të marrin pagë", tha Deanoski.
Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për grevë të të punësuarve në administratën publike, por për protestë.
"Greva do të thotë moskryerje e detyrave të punës dhe nëse të punësuarit e Entit Shtetëror të Statistikës nuk kryejnë detyrat e fushëveprimit të tyre, që është llogaritja dhe publikimi i pagës mesatare mujore në nivel shtetëror, do të vihet në pikëpyetje puna e shumë institucioneve, ndërsa pasojat do t'i vuajnë qytetarët", tha Deanoski.
Derisa mbahej kjo protestë, para Qeverisë përfaqësuesit e Sindikatës së pavarur të administratës shtetërore mbajtën konferencë për media. sa/
Foto: MIA