• e diel, 22 dhjetor 2024

Vazhdon debati në komision për ndryshimet ligjore për ndërtimin e korridoreve

Vazhdon debati në komision për ndryshimet ligjore për ndërtimin e korridoreve

Shkup, 16 maj 2023 (MIA) - Komisioni kuvendor për çështje evropiane sot ditën e dytë e vazhdoi debatin për ndryshimet e propozuara ligjore lidhur me ndërtimin e korridoreve, të shënuara me flamur evropian, të cilat duhet të miratohet  me procedurë të shkurtuar.

Anëtarët e Komisionit Kuvendor për Çështje Evropiane janë duke diskutuar për Propozimin e Ligjit për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për urbanizëm, sipas procedurës së shkurtuar. Debati i sotëm ka kaluar në akuza të ndërsjella mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës. Tre deputetë të tjerë kanë mbetur për të debatuar këtë projektligj.

Në fillim të seancës, deputetët e VMRO-DPMNE-së në një fjalim procedural theksuan se në Sallën 6 ku mbahet seanca e sotme e Komisionit nuk ka kushte për punë. Ata sërish theksuan se  me vendosjen e flamurit evropian në pakon për ndryshimet e ligjeve për ndërtimin e korridoreve bëhet keqpërdorimi i flamurit evropian. Ata theksuan se nuk kanë marrë shpjegim pse ligjet janë dorëzuar me flamur evropian dhe theksuan se ambasadori evropian në vend ka treguar që kjo paketë e ligjeve të mos dorëzohet me flamur evropian.

Ata theksuan se VMRO-DPMNE nuk është kundër ndërtimit të projekteve kapitale dhe rrugëve, por, sipas tyre procedura e tillë e pushtetit është vepër kriminele, ndërsa deklaruan edhe se me projektin është zhvilluar vetëm infrastruktura rrugore në pjesën perëndimore të vendit.

Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi tha se nuk ka ndryshime në procedurat strategjike në vend. Theksoi se për këto investime duhet të jemi më efikas, të kemi afate më të shkurtra sa i përket  kompletimit të dokumentacionit.

"Gjithçka është transparente dhe gjithçka në këtë proces është transparente. Ligji miratohet në Kuvend. Negociatat rreth kompanisë ishin një çështje transparente. Këtu dëgjoj diskutime që nuk mbajnë asgjë, nuk kanë fakte dhe argumente. Megjithatë, ju filloni me populizëm. Mos e helmoni popullin. Po fillojmë me një projekt historik për vendin", tha Rexhepi.

Dragan Kovaçki, deputet në VMRO-DPMNE tha se euroambasadori ka dërguar letër se nuk duhet të bëhet keqpërdorimi i flamurit evropian, veçanërisht për këtë rast, pra për këtë pako ligjesh, sepse nuk ka kurrfarë harmonizimi me të drejtën evropiane.

"Nëse planifikojmë të harmonizojmë të drejtën evropiane, duhet të kemi edhe një tabelë përkatëse, në të cilën thuhet saktësisht se cilën pjesë të së drejtës evropiane po harmonizojmë me legjislacionin evropian. Tabela të zbrazëta, pa asnjë zhvillim", tha Kovaçki.

Nënkryetarja e Komisionit dhe deputete e BDI-së Arta Bilalli-Zendeli tha se është e turpshme dhe ka kaluar koha kur shteti  ndahej në Maqedoninë Perëndimore e cila nuk ishte e zhvilluar dhe Maqedoninë Lindore e cila ishte më e zhvilluar. Theksoi se nuk duhet të ketë ndarje të tilla midis deputetëve, sepse, siç tha, të gjithë qytetarët duhet të kenë zhvillim të barabartë në vend.

Nënkryetarja e Komisionit, Bilalli-Zendeli e ndërpreu seancën dhe njoftoi se do të vazhdojë gjatë ditës. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR