• e premte, 05 dhjetor 2025

Vazhdoi gjykimi në Gjykatën Penale për rastin me këmbësorin e goditur në bregun e Vardarit

Vazhdoi gjykimi në Gjykatën Penale për rastin me këmbësorin e goditur në bregun e Vardarit

Shkup, 21 nëntor 2025 (MIA) – Me marrjen në pyetje të përfaqësuesit ligjor të familjes së të ndjerit dhe me debatin rreth dëshmive të propozuara për evidencë penale të mbrojtjes, sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup vazhdoi gjykimi kundër 25-vjeçarit nga Shkupi, Faton Luri, i akuzuar se më 1 korrik të këtij viti, duke vozitur motorin “kavasaki” pa patentë shoferi në shtegun për këmbësorë në bregun e Vardarit, e ka goditur 68-vjeçarin Jugosllav Nikollovski dhe është larguar nga vendi i aksidentit. 

Në seancën e sotme gjyqësore, prokurorja publike kërkoi nga Gjykata t’i refuzojë dëshmitë për evidencë penale, të propozuara nga mbrojtja e të akuzuarit duke vlerësuar se ato nuk kanë lidhje me rrethanat relevante për përcaktimin e sanksionit. 

“I propozoj Gjykatës që të refuzojë dëshmitë e paraqitura nga mbrojtja, sepse faktet që Gjykata duhet të konfirmojë nuk janë relevante, domethënë nuk ka lidhje midis dëshmive të propozuara dhe rrethanave vendimtare”, tha prokurori.

Për prokurorinë, rrethanat personale dhe familjare të të akuzuarit Luri nuk janë të diskutueshme, por, siç theksoi prokurorja, ato nuk kanë ndikim në vërtetimin e fakteve që lidhen me veprën penale. Sipas saj, ekspertiza psikiatrike e partneres jashtëmartesore është e parëndësishme, sepse "rrethanat që ndikojnë në dënim lidhen me personalitetin e autorit të veprës penale, dhe jo me anëtarët e familjes së tij" dhe për këtë arsye, theksoi ajo, Gjykata ka një detyrim më të madh për të vlerësuar situatën dhe traumat e familjes së viktimës, sesa anëtarët e familjes së të akuzuarit.

Në lidhje me ekspertizën shtesë të dorëzuar të komunikacionit, Prokuroria vlerësoi se me dëshminë e tillë aludohet në gjendje të ndryshme faktike, në kundërshtim me pranimin e fajit që tashmë e ka dhënë i akuzuari. 

“Në kushte të pranimit të fajit, gjendja faktike është përcaktuar dhe nuk mund përsëri të konfirmohet, as i akuzuari ka të drejtë ta kontestojë. Ekspertiza e PTHP tregon qartë se i dëmtuari nuk ka kontribut në aksident”, theksoi prokurorja. 

Sipas mbrojtjes së të akuzuarit Luri, avokatit Goce Risteski, dëshmitë e parashtruara kanë të bëjnë vetëm në përcaktimin e shkallës së sanksionit penal. 

“Ne paraqitëm dëshmi mbi katër baza: shkalla e përgjegjësisë, rrethanat familjare, jeta e mëparshme dhe rrethanat pronësore dhe ligjore. Dëshmitë për bashkësinë jashtëmartesore dhe fëmijën e pritur janë pjesë e rrethanave familjare dhe Gjykata duhet t'i vlerësojë ato”, deklaroi Risteski.

Shtoi se edhe ekspertiza e dorëzuar psikiatrike është relevante, sepse kontribuon për shqyrtim të plotë të gjendjes familjare të të akuzuarit. 

Në lidhje me ekspertizën e plotësuar për komunikacion, Risteski theksoi se kjo nuk e ndryshon gjendjen faktike, por sqaron rrethana që mund të jenë me ndikim gjatë matjes së sanksionit. 

Pas shqyrtimit të ankesave, Gjykata mori vendim duke e pranuar pjesërisht ankesën e prokurorit publik. Ajo pranoi një pjesë të dëshmive të propozuara nga mbrojtja më 9 tetor dhe 11 nëntor 2025, të cilat lidhen me përcaktimin e sanksionit, por nuk pranoi raportin teknik dhe një pjesë të dëshmive të renditura në listën e 9 tetorit. Megjithatë, Gjykata do të vendosë për rëndësinë dhe besueshmërinë e tyre në vendim.

Në seancën e sotme, pyetjeve të Prokurorisë iu përgjigj edhe përfaqësuesja ligjore e të ndjerit, bashkëshortja e tij Jasminka Nikollovska, e cila theksoi se ngjarja penalo-juridike pati ndikim të fortë në jetën e të gjithë familjes. Ajo para Gjykatës tha se ka dy vajza, dhe se njëra prej tyre, në të njëjtën ditë që ndodhi aksidenti, zbuloi se ishte shtatzënë, lajm që, siç tha ajo, u shndërrua në traumë në vend të gëzimit.

Prokuroria e akuzon Lurin për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion dhe për mosdhënie ndihme një personi të lënduar në një aksident trafiku. Sipas aktakuzës, ai po drejtonte një motoçikletë pa patentë shoferi në një shteg për këmbësorë me shpejtësi prej 35 kilometra në orë, e cila konsiderohet e pasigurt në një vend të destinuar vetëm për këmbësorë. Pas aksidentit, i akuzuari është larguar nga vendi i ngjarjes.

Pas seancës gjyqësore, deklaratë për mediat dha vajza e të ndjerit, Maja Boshkovska, e cila shfaqi shpresë se vozitja e tillë e pakujdesshme e automjetit motorik do të dënohet shumë ashpër. 

“Seanca e sotme gjyqësore ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe stresuese për familjen tonë. Sa herë që jemi në sallën e gjyqit, na kthen përsëri te ngjarja tragjike dhe ndihemi sikur po e humbasim përsëri babanë tim. Ai u godit për vdekje, në një shteg për këmbësorë, një vend që duhet të jetë simbol i sigurisë. Babai im u godit para syve të fëmijëve, prindërve të tyre, qytetarëve që kalojnë çdo ditë në atë vend. Prandaj, shpresojmë vërtet që një mënyrë kaq e pakujdesshme dhe e rrezikshme e drejtimit të një automjeti duhet të sanksionohet rreptësisht”, deklaroi Boshkovska. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR