• e hënë, 23 dhjetor 2024

Varheji: Shpresojmë që të gjitha palët do t'i mbështesin ndryshimet kushtetuese në mënyrë që Maqedonia e Veriut të ecë përpara

Varheji: Shpresojmë që të gjitha palët do t'i mbështesin ndryshimet kushtetuese në mënyrë që Maqedonia e Veriut të ecë përpara

Bruksel, 8 nëntor 2023 (MIA) - Autoritetet e Maqedonisë së Veriut vazhduan të demonstrojnë dhe deklarojnë publikisht përkushtimin e tyre për përparim në rrugën evropiane dhe tani që procesi i negociatave për anëtarësim ka filluar, vendi duhet të përshpejtojë ritmin e reformave në lidhje me anëtarësimin në BE, tha Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Oliver Varheji në fjalimin e tij para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

"Parlamenti dhe Qeveria janë të përkushtuar që të fillojnë dhe zbatojnë me prioritet ndryshimet kushtetuese përkatëse. Shpresojmë që të gjitha palët ta mbështesin këtë që vendi të ecë përpara, tha Varheji, duke shtuar se zbatimi i ndryshimeve kushtetuese është një vendim dhe vendosmëri sovrane e vendit, që do të forconte më tej të drejtat themelore.

Sipas tij, shqetësim kanë shkaktuar disa ndryshime në Kodin Penal, të cilat i referohen një numri të madh të rasteve të korrupsionit në nivele të larta.

"Përforcimi i besimit në sistemin gjyqësor dhe ballafaqimin me korrupsionin, përfshirë edhe nëpërmjet hetimeve solide, ndjekjeve penale dhe vendimet përfundimtare për rastet e korrupsionit në nivel të lartë është e një rëndësie të veçantë", shtoi Varheji,

Për sa i përket procesit të skriningut, Komisioneri Evropian tregoi se ai po ecën pa probleme dhe se autoritetet e vendit kanë treguar një nivel të lartë angazhimi në zbatimin e tij.

Ai në fjalimin e tij kujtoi se Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe me Bosnjën e Hercegovinën, pasi vendi të ketë arritur shkallën e nevojshme të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit.

"Edhe më tutje, rekomandojmë që Gjeorgjisë t'i jepet statusi i kandidatit si një njohje se vendi ka ndërmarrë hapa të caktuar", shtoi Varheji.

Ai iu referua edhe Planit për rritje të Ballkanit Perëndimor, qëllimi i të cilit, siç tha, është të stimulojë ekonomitë e vendeve të rajonit në vitet në vijim për të reduktuar hendekun socio-ekonomik mes tyre dhe anëtarëve të Unionit deri në fund të kësaj dekade. 

Sipas tij, synimi afatgjatë është që deri në vitin 2030 të ndihmohet rajoni të arrijë potencialin e tij të plotë në aspektin e kapaciteteve për zhvillim ekonomik dhe social krahasuar me vendet anëtare të BE-së.

"Shkurtimisht, Plani për rritje do të krijojë kushte të përshtatshme që partnerët tanë rajonalë të bëhen anëtarë të Unionit, përfundoi Varheji. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR