Vajc për ENR/MIA: Çështjet e lidhura me identitetin e bllokojnë progresin e Maqedonisë në rrugën evropiane
- Qeveria e Maqedonisë ngadalë, por sigurt, i zbaton agjendat e lidhura me pakicat, çështjet e sigurisë, korridoret dhe çështjet tjera, gjë që ka bërë njëfarë progresi, por për momentin ende na mungon një progres i vërtetë për përparim në rrugën evropiane, deklaroi raportuesi i Parlamentit Evropian për vendin tonë, eurodeputeti austriak Tomas Vajc.
- Post By Sara Ademi
- 07:52, 21 tetor, 2025
Strasburg, 20 tetor 2025 (MIA) - Qeveria e Maqedonisë ngadalë, por sigurt, i zbaton agjendat e lidhura me pakicat, çështjet e sigurisë, korridoret dhe çështjet tjera, gjë që ka bërë njëfarë progresi, por për momentin ende na mungon një progres i vërtetë për përparim në rrugën evropiane, deklaroi raportuesi i Parlamentit Evropian për vendin tonë, eurodeputeti austriak Tomas Vajc.
"Maqedonia e Veriut ende është e bllokuar nga Bullgaria. Fatkeqësisht, ka shumë çështje të lidhura me identitetin që e bllokojnë progresin e saj", theksoi Vajc në një deklaratë për Redaksinë Gazetareske Evropiane (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.
Vajc shfaqi shpresë se pas zgjedhjeve lokale do të bëhen "ndryshimet kushtetuese të nevojshme për përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë si pakicë".
"Kjo do ta hap rrugën për fillimin e vërtetë të negociatave. Mendoj, tani është një vend i përfshirë me procesin inkuadrues, por në fakt nuk i kemi filluar negociatat. Duhet t'i fillojmë së shpejti për ta mbajtur vendin në rrugën e vërtetë", shtoi Vajc.
Në lidhje me vendet tjera kandidate për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor, Vajc theksoi se Mali i zi ka shanse të mbetet anëtarja e 28-të e Unionit deri në vitin 2029 sepse shumë shpejtë i zbaton reformat, ndërsa atë e ndjek edhe Shqipëria, e cila përveç në procesin reformues përparon edhe në luftën kundër korrupsionit edhe në sundimin e së drejtës.
Për Bosnja e Hercegovinën, Vajc thotë se është në një situatë të vështirë për shkak të paqëndrueshmërisë dhe "mungesës së një shteti modern civil", ndërsa Serbia dhe Kosova duhet të pajtohen dhe të njohin njëra tjetrën ose në të kundërtën do të mbesin të bllokuara në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

"Fatkeqësisht, rruga për Serbinë nuk është e bllokuar vetëm për shkak të historisë së vjetër me Kosovën, por edhe për shkak të ngecjes së tanishme kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe standardet demokratike. Politikën që e udhëheq Qeveria e tanishme (serbe), nuk i përmirëson standardet demokratike, por e kundërta. Nuk e rrit lirinë e mediave, por e kundërta. Gjithashtu zvogëlon pavarësinë e gjyqësorit", deklaroi Vajc.
Sipas tij, në këtë mënyrë Serbia është bërë "një lloj shteti i bllokuar" me ç'rast institucionet shtetërore janë kryesisht të bllokuara nga partia e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
"Por nëse duam ta fusim rajonin në Bashkimin Evropian dhe nëse duam ta pajtojmë atë, duhet të flasim me serbët. Kjo, sipas mendimit tim, nuk e përfshin gjithmonë qeverinë serbe, sepse dyshoj se qeveria e Aleksandar Vuçiqit dëshiron vërtet të bashkohet me Bashkimin Evropian", thotë eurodeputeti nga radhët e të Gjelbërve.
Vajc shton se Vuçiq bën diçka që ai personalisht "nuk do t'ia rekomandonte asnjë politikani" - ulet jo vetëm në dy, por në të paktën tre karrige.
"Nuk e di nëse ai preferon të jetë i lidhur me Kinën, Rusinë apo Bashkimin Evropian, apo ndoshta vetëm me "botën serbe", të cilën do të donte ta ndërtojë duke përfshirë disa pjesë të vendeve fqinje", shtoi Vajc në deklaratë. sa/
Foto: Printskrin