• e hënë, 23 dhjetor 2024

UT dhe Klinika Universitare për Kardiologji në Shkup nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

UT dhe Klinika Universitare për Kardiologji në Shkup nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Shkup, 26 tetor 2023 (MIA) -  Universiteti i Tetovës dhe Klinika Universitare për Kardiologji në Shkup kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Siç njofton Zyra për Informim e Universitetit të Tetovës, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Drejtorët e Klinikës Universitare për Kardiologji në Shkup, Bekim Pocesta dhe Abdusamed Shabani, parashihet që mes dy institucioneve ketë shkëmbim të ndërsjellë të përvojave dhe njohurive profesionale në fushën e shkencave të mjekësisë.

"Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet organizimit të këshillave të përbashkëta profesionale, seminareve e të tjera, në emër të zbatimit praktik të të arriturave më bashkëkohore në fushën e shkencave të mjekësisë, përfshirë shfrytëzimin e përvojave profesionale, aftësive dhe njohurive të kuadrit mjekësor të ISHP Klinika Universitare për Kardiologji - Shkup, nga ana e studentëve dhe specializantëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës", bëhet e ditur në kumtesë.

Në të ardhmen, dy institucionet do të japin kontributin e tyre në arsimimin e vazhdueshëm të studentëve, duke propozuar dhe organizuar forma të ndryshme të arsimit formal dhe joformal, bashkërisht do të bëjnë dhënien e ofertave për shërbime të konsulencave, do të organizojnë konferenca të përbashkëta dhe punëtori, shkëmbimin e botimeve, publikimin e botimeve të përbashkëta, revistave, librave, e të tjera.

ISHP Klinika Universitare për Kardiologji, Shkup dakordohet dhe merr për obligim të sigurojë kushte për shfrytëzimin papengueshëm të hapësirave të veta, ndërsa Universiteti i Tetovës obligohet t’i menaxhojë në mënyrë të arsyeshme hapësirat në shfrytëzim dhe të kujdeset për mirëmbajtjen e tyre. fc/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR