• e premte, 22 nëntor 2024

Urime nga Shqipëria për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryeministër të Qeverisë teknike

Urime nga Shqipëria për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryeministër të Qeverisë teknike

Tiranë, 28 janar 2024 (MIA) - Ministri shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Igli Hasani e uroi zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryeministër të Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut. 

"Fat dhe suksese kryeministrit të parë shqiptar në historinë e Maqedonisë së Veriut! Jam i bindur se kryeministri Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të përmbushin angazhimet dhe detyrimet e programit qeveritar, që nga organizimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, deri te vazhdimi i punës për realizimin e proceseve që dalin nga negociatat për anëtarësim në BE dhe përshpejtimi i integrimeve evropiane, rritja dhe zhvillimi i ekonomisë dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit", ka shkruar Hasani në platformën X.

Urime dërgoi edhe lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke thënë se Maqedonia e Veriut sot ka treguar shembull për bashkëjetesë ndëretnike dhe rolin shqiptarëve si faktor i paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor. 

"Pa vizionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Ali Ahmetit, kjo do të ishte e pamundur.
Roli konstruktiv dhe përkushtimi ndaj vlerave euroatlantike i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka qenë përcaktues për anëtarësimin në NATO dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standart shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Duke i uruar suksese kryeministrit Talat Xhaferi, shpreh shpresën dhe besimin që rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë pa u ndalur", shkroi Basha.

Më parë zgjedhjen e Xhaferit për kryeministër të Qeverisë teknike e uruan kryeministri shqiptar Edi Rama, shefi i shtetit, Bajram Begaj, paraardhësi i tij dhe lideri aktual i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, si dhe personalitete të tjera nga jeta politike. 

Mediat i kushtuan hapësirë të veçantë kësaj ngjarje, ndërsa një pjesë e madhe e tyre raportonin drejtpërdrejtë nga Shkupi për, siç thanë, ditën historike për shqiptarët. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR