• e shtunë, 24 maj 2025

Universiteti i Tetovës mori pjesë në Panairin mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor që mbahet në Prishtinë

Universiteti i Tetovës mori pjesë në Panairin mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor që mbahet në Prishtinë

Tetovë, 25 prill 2025 (MIA)- Universiteti i Tetovës është bërë pjesë e rëndësishme e realizimit të programit të Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, që i zhvillon punimet prej 23-25 prill 2025, në Prishtinë. Kjo veprimtari mbahet për herë të katërt dhe organizohet nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nga Shqipëria.

Në ditën e dytë, Universiteti i Tetovës, para auditorit pjesëmarrës në këtë ngjarje me rëndësi për arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare, është paraqitur me dy botime. Përfaqësuesit e UT-së, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihu, Prof. Dr. Agon Memeti nga Zyra per shkencë dhe inovacion dhe Drejtoresha e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor Mr. Sc. Donika Kamberi i promovuan disa prej botimeve, si: veprat e themeluesit dhe Rektorit të parë historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe botimin e Qendrës për Paqe “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor pas agresionit Rus në Ukrainë: Çfarë më pas?” Organizatorët e këtij panairi, në ceremoninë e hapjes zyrtare, këtë ngjarje e kanë cilësuar një takim që i përbashkon botimet e studiuesve shqiptarë dhe ofron mundësinë t’i shohin nga afër botimet shkencore në një aktivitet unik dedikuar atyre.

Në përfundim, organizatorët nënvizuan se prania dhe kontributi i Universitetit të Tetovës në këtë panair është një dëshmi e qartë e përkushtimit të tij ndaj dijes, kërkimit shkencor dhe promovimit të vlerave akademike shqiptare. Ata e vlerësuan lart këtë institucion si një qendër e rëndësishme e mendimit shkencor dhe si një partner të çmuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes universiteteve dhe komunitetit më të gjerë intelektual shqiptar.

 

QËNDRONI TË LIDHUR